Arbëri

Shumë ndërmarrje publike nuk e kanë bërë rivlerësimin e aseteve prej rreth dy dekadash

Një numër i ndërmarrjeve publike, prej gati dy dekadash, nuk e kanë bërë rivlerësimin e aseteve që i kanë në pronësi. Përfaqësues të tyre kanë përmendur arsye të ndryshme për mungesën e realizimit të procesit që, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, duhet kryer në intervalet 3 deri në 5 vjet. E, në Zyrën Kombëtare të Auditorit përmendën efektin që ka për ndërmarrjet mungesa e vlerësimit të drejtë të aseteve.

Shumica e ndërmarrjeve publike nuk e dinë vlerën e saktë të pasurive që posedojnë.

Një prej gjetjeve kryesore të Zyrës së Auditorit në raportin e sivjetmë është mungesa e rivlerësimit të aseteve të këtyre ndërmarrjeve, edhe pse me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, ky proces duhet kryhet rregullisht në intervalet 3 deri në 5 vjet.

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit thonë se ka ndërmarrje që s’e kanë bërë rivlerësimin e aseteve prej gati dy dekadash.

“Sipas Planit vjetor të auditimit për sezonin 2022/23, procesit të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit i janë nënshtruar 12 ndërmarrje publike. Bazuar në rezultatet e auditimit në ndërmarrje të caktuara, kjo çështje përsëritet apo më mirë të themi se në disa prej tyre nuk është bërë fare rivlerësimi i pasurive që nga viti 2005 e tutje”, ka thënë ZKA-ja.

Termokosi është ndërmarrja që nuk e ka rivlerësuar pasurinë e saj që nga 2005-a.

Zëdhënësja Afërdita Uka thotë se është në plan hapja e procedurave tenderuese për ta kryer këtë proces.


“Departamenti i prokurimit është duke punuar për zhvillimin e këtyre procedurave, për të hapur tenderin për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të bëj rivlerësimin e aseteve të ndërmarrjes, pasi që kompania jonë dekadën e fundit ka kaluar nëpër një fazë shumë të shpejtë të transformimit dhe projekteve kapitale, të cilat e kanë ndryshuar dukshëm dinamikën e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë Uka.

As Trainkosit nuk i janë vlerësuar asetet që nga 2007-a, kur asetet e saj vlenin 2.5 milionë euro. Në kompaninë që ka në pronësi vagonët dhe lokomotivat, thanë se janë duke pritur nga aksionari, në këtë rast Qeveria, që të kontraktojë një kompani për rivlerësim.

“Në të kaluarën kemi tenderuar dy herë për rivlerësim të aseteve, por nuk kemi pasur oferta të përgjegjshme. Gjithashtu kjo mbetet përgjegjësi edhe e aksionarit”, thuhet në përgjigjen e Trainkosit.

Në Zyrën Kombëtare të Auditorit përmendin efektin që ka për ndërmarrjet, mungesa e vlerësimit të drejtë të aseteve.

“Moskryerja e rivlerësimit të pasurive në përdorim rrit rrezikun që vlera kontabël e tyre në datën e raportimit të pasqyrave financiare të jetë me vlera materialisht të ndryshme nga vlera e drejtë e tyre”, ka thënë tutje ZKA-ja.

Bazuar në raportet e fundit të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shumica e ndërmarrjeve publike nuk e kanë kryer rivlerësimin e aseteve që nga viti 2007.