Klubi i Prodhuesve të Kosovës, pas bisedimeve dhe kërkesës nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka vendosur që të shtyjë datën e protestës për bllokimin e pikës doganore me Shqipërinë, e cila ishte paraparë të ndodhë më 31 mars 2018.
Për bllokim ishte vendosur gjatë konferencës së përbashkët në mes të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, me qëllim të heqjes së barrierave tarifore dhe jotarifore dhe për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Data e kësaj proteste është shtyrë për datën 9 prill 2018, thuhet në njoftimin për media të kësaj shoqate.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vendosur që të shtyjë këtë datë me shpresë që institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë të kenë kohë që të reflektojnë për zgjidhjen e barrierave tregtare në të cilat prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit të produkteve të tyre. KPK beson që kërkesat e prodhuesve do të merren parasysh dhe prodhuesit e barnave, birrës e edhe produkteve tjera do të lirohen nga barrierat e deritanishme tregtare me Shqipërinë.
Në rast se problemet e prodhuesve të Kosovës nuk do të hasin në mirëkuptim dhe nuk do të zgjidhen kërkesat specifike drejtuar qeverive përkatëse, të Kosovës dhe Shqipërisë, lidhur me problematikat që prodhuesit kosovarë po hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre, atëherë Klubi i Prodhuesve të Kosovës mbetet i detyruar që të vazhdojë protestën deri sa të plotësohen këto kërkesa.