Edhe pse ishte paraparë që për klasat 3, 8 dhe 12 nga shtatori të ketë tekste të reja, një gjë e tillë s’dihet nëse do të mund të realizohet. Kjo për shkak se afati për pranimin e dorëshkrimeve për tekstet e këtyre klasave, i hapur vitin e kaluar, është shtyrë deri më 17 prill si pasojë e pandemisë Covid-19. Përfaqësues të shtëpive botuese kanë shprehur dyshime se kjo shtyrje mund të ndikojë që tekstet e reja për këto klasë të mos jenë të gatshme për shtator.
Drejtori i shtëpisë botuese “Libri shkollor”, Bajram Shatri, tha se në mënyrë që mos të ketë vonesa në botimin e këtyre teksteve, MASHT-i nuk duhet t’i stërzgjasë procedurat e vlerësimit të tyre, raporton KOHA.
Njëjtë sikurse ai mendon edhe përfaqësuesi i shtëpisë botuese, “Albas”, Fatlum Hetemi, i cili ka kërkuar përshpejtim të procesit të vlerësimit.
Nga ana tjetër, MASHT-i, përmes një përgjigjeje me shkrim, theksoi se beson që nuk do të ketë vonesa në këtë proces, por që një gjë e tillë do të varet edhe nga situata e krijuar nga pandemia. Kjo ministri nuk ka treguar për koston buxhetore për tekstet e reja për klasat 3, 8 dhe 12, me arsyetimin se një gjë e tillë do të përcaktohet nga numri i recensentëve që do të angazhohen për vlerësimin e dorëshkrimeve.
“Shtëpitë botuese, dorëshkrimet për këto tekste duhet t’i dorëzojnë në MAShTI deri më 17 prill 2020. Besojmë se nuk do të ketë vonesë, por kjo mund të varet edhe prej situatës në të cilën jemi. Përkundër situatës epidemiologjike, e cila sigurisht se nuk mund të jetë e parashikueshme, MAShTI do të punojë sipas planit për procesin e zhvillimit dhe vlerësimit të teksteve të reja shkollore. Dorëshkrimet duhet të dorëzohen së pari në MAShTI, pastaj vazhdohet me procesin e vlerësimit”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Në shtator të vitit të kaluar kanë hyrë në përdorim tekstet e reja për klasat 0 1, 2, 6, 7, 10, 11. Sikurse të vjetrat, edhe të rejat janë kritikuar për përmbajtjen e tyre dhe mospërputhjet me planprogramet shkollore.
Ndërkaq, klasat 3,4,5, 8, 9 dhe 12 aktualisht punojnë me tekste që janë botime të vjetra e të cilat nuk përshtaten me kurrikulën e re.