Shtëpisë së kulturës në Kaçanik, pas luftës do t’i lihej emri i dëshmorit kaçanikas të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Kurtaj. Por, po këtu, në 7 shtatorin e vitit 1990, delegatët e Kuvendit Krahinor të Kosovës, tinëz do ta shpallnin Kosovën Republikë - me atë që do të njihej pastaj si Kushtetuta e Kaçanikut. Por në sallën e Republikës së Parë mungon dora e shtetit. Madje është kthyer në magazinë. Atë s’ka kush ta kthejë në monument të kujtesës kolektive
Zhvillimet vendimtare të luftës politike, paqësore e të armatosur, të Kosovës së viteve nëntëdhjetë, reflektohen në shtëpinë e kulturës në Kaçanik. Pas luftës iu la emri i dëshmorit kaçanikas të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Kurtaj.
Por në sallën e Republikës së Parë mungon dora e shtetit. Madje është kthyer në magazinë.
Por, po këtu, në 7 shtatorin e vitit 1990, delegatët e Kuvendit Krahinor të Kosovës, tinëz do ta shpallnin Kosovën Republikë me atë që do të njihej pastaj si Kushtetuta e Kaçanikut. Në organizim ishin përfshirë edhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kishte nisur ta shtrinte ndikimin në terren pas suprimimit të autonomisë nga Serbia.
“A jeni të gatshëm....?”
Pasditen e atij 7 shtatori, rrugët e të gjithë përfaqësuesve krahinorë çonin në qytetin e grykës. Por përpjekje e plane të shumta ishin bërë tinëz para se delegatët të mblidheshin në shtëpinë e kulturës.
Edhe
36 vjet nga “Republika e Parë”
Përvoja e kaçanikasve në organizimin e tubimeve të tilla, të cilat mbaheshin fshehur e pozita gjeografike që e bënte më të lehtë largimin e delegatëve, sipas Ramajlit, ishin arsyet pse u zgjodh që miratimi i Kushtetutës të bëhej atje.
E kryetari i Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajli, thotë se organizimi ishte i menduar gjatë.
“Kemi vendosur që të mbahej në Kaçanik, sepse në Kaçanik në atë kohë mbaheshin disa tubime të Alternativës, të sindikatave të Kosovës e të formacioneve tjera, dhe kaçanikasit kishin fituar një përvojë në organizim, që gjithkund mbaheshin fshehtas prej forcave policore dhe ushtarake serbe”, thekson Ramajli, duke shtuar se shkak tjetër ishte konfiguracioni gjeografik i terrenit. “E vlerësuam se në rast të ndonjë intervenimi të policisë serbe, lehtë do të sigurohej me ndihmën e qytetarëve të Kaçanikut, delegatët ta kryejnë mbledhjen dhe të largohen nga Kaçaniku”.
Në krye të organizimit në Kaçanik ishte Hebib Shehu, atëherë kryetar i Degës së LDK-së. Tani është në gjendje të rëndë shëndetësore, por vite më parë pati rrëfyer historinë e organizimit. Disa ditë para seancës së pazakonshme, Ramajli e kishte ftuar Shehun në takim. Bashkë me të ishin dhe ish-delegati, Refik Raka dhe profesori i ndjerë universitar, Fadil Raka.
“Dhe në atë takim, pyetja e parë ishte: A jeni të gatshëm ta pranoni përgjegjësinë për rangizimin e kuvendit në Kaçanik, që kishte për për detyrë aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut?” – do të kujtonte Shehu vite më parë.
“Synetia” – shprehja koduese e 7 shtatorit
Ndërkohë, Isa Gashin, atëherë bibliotekist në qendrën e kulturës, e kishte thirrur njëri prej kolegëve me pretendimin se në mbrëmje në sallën e vogël të qendrës së kulturës do të mbahej një mbledhje e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gashi menjëherë do të lëshohej teposhtë për të nisur përgatitjen e sallës. “Shoku im i ngushtë, Maksut Hoxha, i cili sot është në Zvicër, më thirri dhe tha: Isë sot më duhesh shumë”, kujton Gashi para sallës së Republikës së Parë. “Tha sot duhet me pastru sallën e vogël dhe me ia dhanë një pamje të mirë”.
Mandej do të ftohej edhe kolegu Haki Raka për ta ndihmuar. “Mandej e pashë se nuk ish punë që kish me u promovu LDK-ja”, thekson Gashi.
Feride Hyseni është lindur e rritur në Mitrovicë, por fort e lidhur është me Kaçanikun. Dita e shtatë shtatorit 1990 i sjell asaj në mendje kujtime për udhëtimin e frikshëm drejt qytezës jugore. Me rastin e 31-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, Hyseni ka rrëfyer për organizimin e arritjes fshehtas atje. Disa makina ishin ndërruar për shkak të frikës se mund t’u binin në sy shërbimeve serbe të inteligjencës.
“Nuk e kemi ditë të gjithë ku po ka qenë që kur të mbërrini në Kaçanik një vend te lisat me pyet ku është synetia dhe qashtu kam shku edhe unë”, ka thënë Hyseni katër ditë më parë. “Por, unë realisht kam shku deri në Elez Han për me taku një vendas të Kaçanikut për me më futë ai me automjet me regjistrim të Shkupit për mos me rënë në sy”.
“Kaçaniku ka qenë maksimalisht i organizuar me të gjithë veprimtarët e asaj kohe për të gjithë delegatët”, thekson ajo.
Nata e madhe e Kosovës
Shaqir Shurdhani porsa ishte kthyer nga puna në Prishtinë, ku punonte në sektorin e kulturës në Bashkësinë e atëhershme për Vetëqeverisje të Interesit. I biri i tij, Agroni, pjesë e organizimit do t’ia sillte në shtëpi një mysafir me poste të larta politike në sistemin e atëhershëm politik krahinor e federativ.
“Në mbrëmje rreth orës nëntëmbëdhjetë erdhi djali im i madh, Agroni, bashkë me Daut Jashanicën, i cili atëherë ishte funksionar i madh federativ”, kujton Shurdhani, 86 vjeç. “U habita, mirëpo e mirëprita”.
Gjithçka do të përmbysej natën e po asaj dite kur Hyseni, delegate e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, do të ngrinte dy gishtat e dorës së djathtë bashkë me 110 delegatë të tjerë për ta miratuar aktin më të lartë juridik, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut. Kosova u shpall njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës Jugosllave, që po dridheshin themelet. Jugosllavia nuk e njohu.
Gashi vetëm atëherë do ta kuptonte se në pavetëdijshëm i kishte kontribuar organizimit të seancës më rëndësishme të ish-Kuvendit Krahinor, që kulmoi me atë që njihet edhe si Republika e Parë. Shok të ngushtë e kishte kryetarin Ramajli, andaj me t’i parë delegatët do ta kuptonte se ishin mbledhur për një qëllim madhor.
“I thashë shokut tem se s’ish reni i promovimit të LDK-së, dhe shoku jemi ia nisi me qeshë”, rrëfen me qeshje Gashi.
Nga të gjitha momentet, ish-kryetari thotë se nuk do ta harrojë vendosmërinë e delegatëve pjesëmarrës.
Edhe
35 vjet nga hedhja e themelit të Republikës
“Mu nuk më hiqet nga mendja dhe sytë fotografia.. fytyrat e buzëqeshura të delegatëve gjatë gjithë kohës së mbajtjes së mbledhjes”, kujton fytyrëqeshur Ramajli. “Unë thjesht e kuptova që ata janë fare të brengosur se çfarë do të ndodhë me ta...” Ai thotë se delegatët e kishin mendjen vetëm si të kryhej mbledhja me legjitimimin e aktit më të madh juridik të Kuvendit Krahinor të Kosovës.
Organizatorët iu besuan Shurdhanëve strehimin e delegatit pasi babai i Shaqir, Fahri Halimi, kishte vuajtur 14 vjet burg pas Luftës së Dytë Botërore pse ishte pjesë e Partisë antikomuniste Nacionaldemokratike Shqiptare.
I ndjeri Jashanica do t’i tregonte nikoqirit shkurt se “një punë të madhe” do ta kryenin delegatët në shtëpinë e kulturës në afërsi. Pas nja një ore Jashanica, do të kthehej me Agronin.
“Shaq, tha: U kry një punë e madhe”, tregon Shurdhani, duke rrëfyer se si pastaj Jashanica do të përcillej nga Agroni deri në magjistralen Prishtinë-Shkup.
“Kushtetuta.....”, më e madhe se Kaçaniku
Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ish-pjesëtar i UÇK-së, thotë se Kaçanikut do ta dëshmonte edhe njëherë veten gjatë organizimit të 7 shtatorit 1990.
“Shtëpia e kulturës simbolizon një vepër të madhe të kaçanikasve, një kështjellë do ta quaja, ku deputetët e asaj kohe, duke shfrytëzuar mirësinë dhe bujarinë – që shfrytëzoj rastin me i falënderu për kurajën që kanë pasur për një organizim të tillë për kohën çfarë ka qenë, por edhe kryetarin Ramajli”, që kishin marrë guximin që në shtëpinë e kulturës të shpallej një vepër e madhe dhe historike.
“Pra Kaçaniku njihet si vend i veprave të mëdha, duke filluar nga Idriz Seferi deri te Kushtetuta e Kaçanikut”, thekson Ilazi.
E 31 vjet pas, pavarësisht se e vlerësojnë punën e bërë, delegatët Ilaz Ramajli e Feride Hyseni nuk janë të kënaqur me atë që është arritur.
“Unë e shoh si një shtet të mirëfilltë. Megjithatë, a ka vend për më mirë? Gjithmonë ka vend për ma mirë edhe potencial kemi vetëm duhet t`i angazhojmë njerëzit që ia duan të mirën këtij veni”, thekson Hyseni.
“Nuk është ajo qe ne e kemi parafytyru se si do ta qeverisin dhe çka do ta bëjmë Kosovën”, thotë Ramajli.
A bëhet “Shypni” me shqiptarët?
Derisa një vit më parë për shënimin e 30-vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut është mbajtur seancë solemne, këtë herë kjo ngjarje është kujtuar vetëm përmes rrjeteve sociale.
Presidentja Vjosa Osmani është e vetmja nga tre krerët e institucioneve që ka kujtuar këtë datë, duke thënë se “Kushtetuta e Kaçanikut është guri themeltar i rendit juridik të shtetit të Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti, i cili u ngrit politikisht me mohimin e Republikës së 2008-s, me ndryshimin e diskursit nisi të fliste për domosdoshmërinë e asaj që e quante Republika e Tretë. Por pavarësisht se tashmë e ka detyrë kushtetuese mbrojtjen e simboleve dhe trashëgiminë historike politike, nuk organizoi asgjë për përvjetorin e Republikës së parë.
Kryetari Ilazi thotë se rëndësia e shpalljes së Republikës së Kosovës bën që përvjetorët të organizohen nga niveli qendror. Ai thotë se Salla e Republikës së Parë është pjesës e listës së objekteve të mbrojtura të trashëgimisë së kulturës, por që ende nuk është rinovuar.
“Domethënë asgjë nuk është investuar deri më në atë sallë, që ne e quajmë sallë historike ngase është marrë një vendim historik, gjë që pastaj kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet nën ombrellën e asaj ngjarjeje të 7 shtatorit”, thekson Ilazi.
Edhe Isa Gashit i vjen keq se në çfarë gjendje është katandisur salla e vogël, do të shpallej Republika e Kosovës, që konsiderohet si gurthemel i pavarësisë së Kosovës. “Kemi mendu se pak më ndryshe kanë me shku gjërat”, thekson ai. “E kësaj salle, krejt kemi menu se kësaj salle kanë me i kushtu më shumë rëndësi për shkak të rëndësisë dhe peshës që ka Kushtetuta e atëhershme e vitit 1990”, shton Gashi.
Edhe
35 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut
Më 2015, me rastin e 25-vjetorit të 7 shtatorit të Republikës do të vendosej një pllakë, ku fillimisht edhe Kaçanik ishte shkruar gabimisht – Kaçanik - asgjë nuk të lë përshtypjen e një salle historike, aty ku delegatët do të shpallnin Republikën e Parë.
Mungesën e dorës së kujdesit të shoqërisë e të shtetit, e përmbledh edhe kjo thënie e Idriz Seferit korridorin e sallës: “U mundova tanë jetën me e ba këtë ven Shypni, por zor te koka bre!”