Ministri Nenad Rashiq synon pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës përmes krijimit të “Shtëpisë së miqësisë”. Këtë iniciativë Rashiq ka qëllim ta realizojë me moshat e reja, përmes përgatitjes së tyre profesionale. E njohës të raporteve ndëretnike thonë se bashkëpunimi do të arrihet tek pas integrimit të serbëve në shoqërinë kosovare. Kjo vlerësohet se do ta stoponte edhe instrumentalizimin e tyre nga Beogradi zyrtar
Diskursi politik i viteve ‘90 është ai që po krijon ndasi mes shqiptarëve dhe serbëve, tha ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.
Nëpërmjet një iniciative që ka marrë, Rashiqi synon ta bëjë pajtimin shqiptaro-serb dhe krijimin e urave bashkëpunuese mes tyre, me qëllim edhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai ka krijuar “Shtëpinë e miqësisë”, e cila do të ketë qendra mobile të trajnimit për punësim të të rinjve në të gjithë Kosovën, ku nga të dyja etnitë do të ketë numër të barabartë të nxënësve e të trajnerëve.
“Aty do të bënim një bashkëpunim në rritjen dhe kualifikimin e nxënësve, por po ashtu një pajtim dhe një kuptim mes tyre se sa duhet që së bashku të vazhdojmë të punojmë”, i tha KOHËS ministri Rashiq. “Ky është një element i cili do të krijonte një nivel pak më të lartë, së pari të tolerancës dhe kuptimit, dhe së dyti, një profesionalizmi i cili është i nevojshëm për tregun e punës”.
Rashiqi thotë se marrëdhëniet shqiptaro-serbe do të ishin shumë më të mira, po qe se nuk do të dominonte e ndërhynte mes tyre diskursi politik i viteve ‘90.
“Në mënyrë individuale nuk kemi probleme, por kur përzihet politika dhe në veçanti politika të cilën e përmenda, krijohen probleme, paragjykime, incidente e konflikte që në realitet nuk është ashtu, por që politikanët gjithmonë e dramatizojnë situatën”, ka thënë ai.
Njohës të raporteve ndëretnike thonë se normalizimi i marrëdhënieve do të bëhej me përfshirje të serbëve në shoqërinë kosovare.
Belgëzim Kamberi nga instituti për politika sociale “Musine Kokalari” thotë se integrimi do t’i kontribuonte shtetit të Kosovës, përveç tjerash, edhe për t’i zbehur mundësitë e instrumentalizimit të serbëve nga Serbia.
“Është politika e Beogradit zyrtar, e cila nuk dëshiron integrim të serbëve të Kosovës”, thotë Kamberi. “Republika e Kosovës nuk duhet ta marrë shembull Republikën e Serbisë në mënyrën se si e percepton çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, çështjen e integrimit të serbëve në Kosovë. Siç shihet, Beogradi është më i interesuar që serbët e Kosovës të instrumentalizohen dhe të përdoren për mosintegrim”.
E, Mila Mihajlloviq, aktiviste e të drejtave të njeriut, thotë se moszbatimi i ligjeve për integrim të serbëve dhe gjuha shqipe janë barriera të mëdha që po stagnojnë në krijimin e bashkëpunimit me shqiptarët.
“(Së pari v.j.) Mungesa e kapaciteteve për të zbatuar ligjet realisht dhe mungesa e dialogut politik progresiv dhe vetë mungesa e mundësive për komunitetin serb që realisht të integrohet në margjinat e shoqërisë kosovare. Së dyti, kur bëhet fjalë për vetë gjuhën, gjuha ende paraqet një pengesë të madhe”, ka thënë Mihajlloviq.
“Shtëpia e miqësisë”, me të cilën ministri Rashiq synon t’i shembë barrierat në komunikim mes shqiptarëve dhe serbëve, është planifikuar të krijohet brenda 2024-s.