Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHSKUK-ja kërkon të punësohen edhe rreth 600 infermierë

Foto: Ilustrim

(KosovaPress) - Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë̈ shtimin edhe të rreth 600 infermierëve në sistemin shëndetësor.

Kërkesa është përkrahur nga infermierët, ndërsa nga shoqata që merret me të drejta të pacientëve kërkohet vlerësim i nevojave të pacientëve karshi shërbimeve mjekësore.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi thotë se krahas sfidave tjera të menaxhimit të pandemisë, sfiduese ka qenë edhe numri i kufizuar i infermierëve. Ai thotë se është adresuar një kërkesë në MSH për shtimin e rreth 600 infermierëve në klinikat dhe spitalet e Kosovës, me qëllim që të rritet cilësia e shërbimit mjekësor.

“Një̈ nga sfidat kryesore të menaxhimit të kësaj pandemie po flas për pacientët në aspektin klinik, ata që kanë pasur nevojë që të marrin shërbime në spitale kanë qenë numri i kufizuar i stafin shëndetësor e në veçanti i infermierëve. Këtë me kohë e kemi ngritur si çështje për diskutim dhe e kemi adresuar në organet kompetente, tash së fundi edhe në MSH i kemi dërguar kërkesat tona minimale, është një Komision që është duke e hartuar planin për menaxhimin e pandemisë në muajt e ardhshëm dhe po presim që krahas aktiviteteve të tjera të përfshihet edhe rritja e stafit të infermierëve për spitalet tona. Ne kemi bërë një vlerësim minimal me kërkesa minimale që sillen diku edhe rreth 500-600 infermierë që do na duheshin në nivel të spitaleve tona dhe Klinikave të QKUK-së për të pasur shërbim më”, tha Krasniqi.

Kërkesa të tilla për shtim të infermierëve nëpër institucionet publike shëndetësore tash e dy vjet ka adresuar Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

Edhe Mbi 400 infermierë për 7 muaj u larguan nga Kosova, kërkohet reagimi i institucioneve Arbëri Mbi 400 infermierë për 7 muaj u larguan nga Kosova, kërkohet reagimi i institucioneve

E Shoqata për të drejtat e pacientëve e sheh shqetësuese mungesën e infermierëve në institucionet publike shëndetësore, por thotë se duhet bërë një vlerësim i nevojave të pacientëve.

“Është shumë shqetësuese mungesa e stafit infermieror nëpër institucionet shëndetësore dhe në anën tjetër kemi klinika dhe spitale ku në reparte të caktuara kanë më shumë sesa mjek sesa shtretër. Prandaj, pa u bërë një vlerësim i mirë i nevojave të pacientëve nuk mund dhe nuk duhet të shtohet stafi infermieror sepse nuk e dimë se sa saktësisht na duhen”, thotë Besim Kodra nga kjo shoqatë.