Shqipëria ka votuar këtë të diel për Parlamentin e ardhshëm.
5,225 Qendra Votimi në të gjithë vendin kanë qenë të hapura për qytetarët nga ora 07:00 deri në orën 19:00.
3,713,761 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, brenda dhe jashtë vendit, kanë mundur të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.
Në këto zgjedhje parlamentare, kanë garuar 2046 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 11 parti dhe koalicione zgjedhore. Të gjitha zhvillimet rreth zgjedhjeve në Shqipëri do të mund t’i lexoni këtu.
“Kandidatët për deputetë tentuan të futen në QV”, Celibashi: Respektoni ligjin
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një thirrje që kandidatët për deputetë t'i respektojnë ndalimet ligjore, duke reaguar ndaj raportimeve nga terreni se disa kandidatë për deputetë kanë tentuar të hyjnë në qendrat e votimit.
“KQZ ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputetë kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit. Bëjmë me dije se është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor prania e kandidatëve në qendrat e votimit. Kandidatët duhet ta respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politikë, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor”./Euronews Albania
Basha voton me vajzën e tij të madhe: Sot keni një të drejtë të çmuar, besoni tek Shqipëria
Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka votuar së bashku me vajzën e tij të madhe.
Vajza voton për herë të parë në këto zgjedhje.
“E kam këtë ftesë për brezin e ri, vajza ime e madhe voton për herë të parë, sot keni një të drejtë të çmuar, shkoni të votoni për vendin tuaj, besoni tek Shqipëria tek e ardhmja”, u shpreh Basha./TCH