Shqipëria dhe Kosova po zgjerojnë bashkëpunimin mes tyre edhe në fushën e sigurimeve, raporton ATSH.
Kryetarja e Shoqatës së Sigurueseve të Shqipërisë Fitnete Sulaj dhe Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, nënshkruan në Tiranë Memorandumin e bashkëpunimit për të identifikuar dhe adresuar mbështetje teknike dhe kapacitete trajnuese për të zhvilluar më tej tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Marrëveshja e nënshkruar parashikon mbrojtjen e interesit të kompanive të sigurimeve, promovimin e integritetit, stabilitetit dhe efikasitetit të tregut të sigurimeve, si dhe vendosjen e formave të bashkëpunimit ndërmjet palëve për të përmirësuar veprimtaritë respektive të interesave që ato përfaqësojnë.
Palët do të punojnë së bashku për të identifikuar dhe adresuar mbështetje teknike dhe kapacitete trajnuese, për të zhvilluar më tej tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Në kuadër të këtij memorandumi bashkëpunimi, palët parashikojnë të zgjerojnë dhe lehtësojnë shkëmbimin e njohurive përmes seminareve, trajnimeve, konferencave, vizitave konsultative të ekspertëve , shkëmbimin e praktikave më të mira.