Arbëri

Mbrojtja juridike e të akuzuarve të Speciales: 5.4 milionë euro për një vit

Për dallim nga shtatë të akuzuarit e tjerë të Gjykatës Speciale, Pjetër Shala nuk ka kërkuar ndihmë financiare për mbrojtje juridike nga Ministria e Drejtësisë. E për një gjë të tillë, kjo ministri për 12 muaj për të akuzuarit e tjerë ka ndarë mbi 5 milionë euro. Listës i prin ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e përmbyllet me ish-kryetarin tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli. Derisa Shala nuk ka kërkuar ndihmë për mbrojtje juridike, nga Ministria e Drejtësisë për ndihmë financiare për vizitat në Hagë, nuk kanë kërkuar familjarët e ish-presidentit Hashim Thaçi

Fiks 5 milionë e 442 mijë e 298 euro janë paguar deri më tani nga Ministria e Drejtësisë për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Kjo shumë është totali i mjeteve të ndara që nga tetori i viti të kaluar deri në shtator të 2021-s. Në të janë të përfshirë avokatët e 7 të akuzuarve nga Specialja nga 8 sa janë gjithsej.

Një milion euro për një avokat

Prej tyre më së shumti para janë ndarë për avokatin e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Për 12 muaj, MD-ja ka ndarë gati 1 milion euro apo fiks 974 mijë e 250 euro. Shpërndarë në muaj, shuma është e njëjtë, prej 91 mijë eurosh për muajt mars, prill, maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator të këtij viti. Derisa dallon për muajt paraprakë. Kështu në tetor të vitit 2020, nuk përshkruhet ndonjë shumë e ndarë, derisa në nëntor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, janë ndarë 67 mijë e 250 euro, në dhjetor, 80 mijë e në janar e shkurt 2021 janë ndarë nga 95 mijë euro.

Krasniqi pasohet nga kreu i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati me 891 mijë e 750 euro të ndara që nga tetori i vitit të kaluar. Në këtë muaj për Gucatin janë ndarë 61 mijë euro, 100 euro më shumë janë ndarë një muaj më pas, 61 mijë e 50 euro janë ndarë në dhjetor, derisa në janar e shkurt të sivjetmë janë ndarë nga 66 mijë euro. Shumë e njëjtë, nga 85 mijë e 800 euro është ndarë për avokatin e Gucatit në mars dhe prill, derisa për pesë muaj me radhë maj-shtator 2021, janë ndarë nga 81 mijë euro.

Për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, deri më tani janë ndarë 843 mijë e 101 euro. Sipas të dhënave të siguruara përmes qasjes në dokumente publike nga MD-ja, në dy muaj e parë tetor dhe nëntor, për avokatin e Thaçit nuk është ndarë asnjë shumë, kurse për muajin dhjetor janë ndarë 83 mijë e 107 euro, në janar 2021, 82 mijë e 694 euro, në shkurt 86 mijë e 36 euro, në mars 81 mijë e 230 euro, në prill 57 mijë e 31 euro, derisa nga maji e deri në shtator të 2021 janë ndarë nga 90 mijë e 600 euro.

Thaçi pasohet nga Rexhep Selimi, me 815 mijë e 700 euro, Salih Mustafa, 683 mijë e 822 euro, Nasim Haradinaj me 663 mijë e 950 euro e lista përmbyllet me ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, për të cilin deri më tani janë ndarë 569 mijë e 724 euro. Në këtë listë mungon Pjetër Shala, e i cili sipas institucioneve, nuk ka bërë kërkesë për mbulueshmëri financiare.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Drejtësisë ka arsyetuar një gjë të tillë. Sipas MD-së, kërkesë për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes kanë të drejtë të gjithë personat e akuzuar.

“Të gjitha ekipet mbrojtëse, që deri më tani janë shtatë, mbështeten nga Ministria e Drejtësisë, vetëm ekipi mbrojtës i zotëri Pjetër Shala mbështetet nga Dhomat e Specializuara. Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, kërkesën zgjedhin ata vetë se ku do ta bëjnë, munden në Ministrinë e Drejtësisë ose në Dhomat e Specializuara”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, nga Dhomat e Specializuara, të pyetur për këtë çështje, nuk kanë pranuar të tregojnë shumën që deri më tani është ndarë për mbrojtjen e Pjetër Shalës e as për arsyen për një gjë të tillë.

Sipas Angela Griep, zyrtare për informim në Dhomat e Specializuara, nuk mund të japin ndonjë informacion specifik se “çfarë është miratuar saktësisht, kush ka aplikuar për mbështetje dhe pse”.

Më tutje në përgjigje thuhet se “çdo të dyshuari ose të akuzuari përpara Dhomave të Specializuara që demonstron se nuk mund të përballojë të paguajë për mbrojtjen e tyre, pjesërisht ose plotësisht, do t’i sigurohet asistencë ligjore për të paguar për çdo avokat të zgjedhur prej tyre, i cili është i kualifikuar profesionalisht për të qenë në Listën e Avokatëve”.

Gati 50 mijë euro për vizitat e familjarëve

Krahas për mbrojtjen juridike, Ministria e Drejtësisë mbështet financiarisht edhe anëtarët e familjes së të akuzuarve. Që nga korriku i këtij viti, kur edhe janë lejuar vizitat e para te të akuzuarit e Speciales, Ministra e Drejtësisë ka ndarë 43 mijë e 696 euro për biletat e udhëtimit e akomodimin e tyre.

Sipas tabelës që i është përcjellë KOHËS, pas kërkesës për një gjë të tillë, nga mjetet e ndara, për bileta janë shpenzuar 22 mijë e 306 euro, kurse për fjetje e ushqim 21 mijë e 390 euro. Ndonëse në të dhënat e ofruara, nuk është specifikuar numri i anëtarëve e detaje të tjera, jo të gjitha familjet kanë kërkuar ndihmë për çdo muaj që nga korriku.

Kësisoj, familja e Salih Mustafës, ka kërkuar mbulimin e shpenzimeve për vetëm dy muaj, shtator dhe tetor. Gjithsej për këta muaj, janë ndarë 2 mijë e 75 euro për bileta e 1 mijë e 860 euro për akomodim.

Familja e Nasim Haradinaj, nga Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mbulimin e shpenzimeve për muajt gusht, tetor dhe nëntor, e që në total i janë ndarë 2 mijë e 647 euro, prej të cilave, 1 mijë e 407 euro për bileta e 1 mijë e 240 euro për akomodim.

Për katër muajt: gusht, shtator, tetor e nëntor, për familjen e Kadri Veselit, janë ndarë 1 mijë e 936 euro për bileta, kurse 1 mijë e 860 për fjetje e ushqim, apo gjithsej 3 mijë e 796 euro.

Për familjen e Hysni Gucatit, për të njëjtët muaj, sikurse për familjen e Veselit, janë ndarë gjithsej 7 mijë e 439 euro, apo 4 mijë e 339 euro për bileta e 3 mijë e 100 euro për akomodim.

Shpenzimet e vizitave në korrik, gusht, shtator, tetor dhe nëntor, i janë paguar edhe familjes së ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi. Për biletat e familjes së Krasniqit, janë ndarë 5 mijë e 14 euro, derisa për akomodim 4 mijë e 650 euro, apo në total, 9 mijë e 664 euro.

Për vizitat në të njëjtët muaj, familjes së Rexhep Selimit, i janë ndarë 7 mijë e 394 euro për bileta e 5 mijë e 580 euro për fjetje e ushqim. Ndihmë në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit nga Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar familja e Pjetër Shalës, ndonëse i njëjti një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe për mbrojtje juridike. Për vizitat gjatë muajve korrik, shtator, tetor e nëntor, familjes së Shalës, i janë ndarë gjithsej 3 mijë e 237 euro, apo 137 euro për bileta e 3 mijë e 100 për fjetje dhe ushqim.

Por, për dallim nga mbrojtja juridike, në këtë listë mungon familja e ish-Presidentit Hashim Thaçi. Ndonëse nuk kanë treguar arsyet për këtë, nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se anëtarët e familjes së ngushtë të të akuzuarve janë mbështetur dhe kompensuar.

“Deri më sot, pothuajse të gjitha familjet vizitat te familjarët i kanë kryer përmes programit tonë (përveç familjes Thaçi)”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, e ish-shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen se ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, gjë për të cilën që të katërt janë deklaruar të pafajshëm.

I pafajshëm është deklaruar edhe Salih Mustafa, i njohur si komandat Cali, e i cili akuzohet për vrasje, tortura dhe trajtim çnjerëzor gjatë luftës në Kosovë. Kurse, kreu i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, e nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, akuzohen për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.