Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm Shaban Lushtakun e Naim Sallahun, të cilët shefi i OSHP-së, Blerim Dina i kishte denoncuar për kërcënim.
Prokuroria e Shtetit gjatë përpilimit të aktakuzës nuk pati gjetur elemente të veprës penale të kërcënimit por i kishte akuzuar për detyrim, raporton Koha Ditore.
Seanca gjyqësore u bë pas rreth një viti, ndërsa sot, ditë e hënë, u shpall aktgjykimi.
Kryetarja e këtij trupi, Fatime Dermaku ka thënë se prokuroria nuk e ka aprovuar se të njëjtit e kanë kryer këtë vepër.
Avokati i Naim Sallahut, Arianit Koci pas shpalljes së aktgjykimit ka thënë se Prokuroria nuk ka pasur asnjë provë kur e ka ngritur këtë aktakuzë dhe se Gjykata sot e vërtetoi këtë.
Kujtojmë se bëhet fjalë për tenderin për Autostradën A7 Prishtinë-Gjilan, ku thuhej se ishte kërcënuar me jetë Kryetari i Bordit të OSHP-së, Blerim Dina, i cili thoshte se u kërcënua nga Shaban Lushtaku e Naim Sallahu.
Shaban Lushtaku është i afërm i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ndërsa Naim Sallahu pronar i kompanisë ‘Sallahu’.
Të dy, Lushtaku e Sallahu, sipas aktakuzës kishin shkuar tek banesa e Dinajt në kohën kur në OSHP për shqyrtim kishte ankesa për një tender në Ministrinë e Infrastrukturës me vlerë rreth 22 milionë euro.