Arbëri

Shkolla në Manastirc të Ferizajt në gjendje të mjerueshme, Komuna s’ka paraparë investime

Në këto banka shkollore, nxënësit e shkollës fillore “Dëshmorët e Lirisë” të fshatit Manastirc të Ferizajt zhvillojnë procesin mësimor.

Pavarësisht infrastrukturës së dobët, nxënësit e kësaj shkolle thonë se e vijojnë mësimin rregullisht, raporton KTV.

E ndërtuar shumë vjet para luftës, e më shumë se 4 vjet pa u investuar asgjë, mësimdhënësit këtu po shohin shqetësuese gjendjen.

Edhe drejtori i kësaj shkolle thotë se ky objekt nuk i plotëson kushtet për mësim.

Madje, ai ka drejtuar edhe kërkesa të shumta, në komunë e Qeveri, por që asnjëherë nuk janë marrë parasysh.

Zyrtarë të komunës së Ferizajt, mosinvestimin në këtë objekt e arsyetojnë duke thënë se në komunën e Ferizajt ka shkolla që janë në gjendje edhe më të keqe.

Kritika të shumta ndaj qeverisjes aktuale për mosinteresim në sektorin e arsimit ka ngritur shoqëria civile në Ferizaj.

Kjo shkollë e edhe shkolla të tjera në komunën e Ferizajt janë duke u përballur me mungesë të librave, ndërkohë që drejtori i arsimit në komunë thotë se shumë shpejt kjo çështje do të rregullohet.