Përfundimi i periudhës së parë të vitit shkollor i cili do të ndodhë sot, ka qenë i pazakontë për një shkollë të Malishevës. Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët "Beqir Gashi" në Mleçan e ka përmbyllur periudhën e parë të këtij viti shkollor në rrethana të jashtëzakonshme. Që nga 13 dhjetori e deri në fillim të kësaj jave nxënësit dhe personeli mësimor janë detyruar të mbajnë mësim online, shkaku i prishjes së sistemit të ngrohjes qendrore.
“Nga data 3 dhjetor është prishur kaldaja e shkollës, një javë kemi mbajtur mësim pa ngrohje, por pasi ranë temperaturat u detyruam të kalojmë në mësim online, nga shtëpitë, nga 13 dhjetori e deri të martën e kaluar", ka njoftuar për KOHËN drejtori i shkollës, Fehmi Kryeziu.
Gjatë kësaj kohe Komuna e Malishevës e ka dërguar një kaldajë të re në shkollë, e cila parashihej që në vend se me dru të funksiononte me pelet, por pasi ajo është vendosur në shkollë, komuna nuk e ka bërë pranimin e saj teknik dhe ka marrë vendim ta heqë atë, me arsyetim se kaldaja nuk është në parametrat e specifikuara me kontratë. Kësisoj nxënësit dhe personeli mësimor dy ditët e fundit të periudhës së parë janë detyruar të mbajnë mësim me prani fizike, me orar të shkurtuar dhe pa ngrohje, sa për t'i vendosur notat e periudhës së parë me prani fizike, dhe për të komunikuar suksesin, në objektin shkollor.
Drejtori Kryeziu ka thënë se ai dhe personeli mësimor kanë qenë të pafuqishëm të ndërmarrin diçka për sanimin e gjendjes. Kaldaja ishte vjetërsuar pasi kishte 12 vjet që ishte vendosur.
Enver Mazreku, nga DKA e Malishevës, ka treguar se Komuna e Malishevës ka hapur tender emergjent për të blerë një kaldajë të re për shkollën e Mleçanit, por ka hasur në disa telashe.
"Nuk kemi arritur ende të realizojmë kontratën pasi nuk ka kaldajë sipas specifikave të kërkuara, nuk është bërë pranimi teknik i saj", ka thënë Mazreku.
Vendimin për mbajtjen e mësimit online, Mazreku ka thënë se e ka marrë DKA-ja, në bashkëpunim me drejtorin dhe Këshillin e Shkollës së Mleçanit.
Drejtori Kryeziu ka thënë se është i vetëdijshëm që mësimi online nuk mund të ishte efikas sikur mësimi me prani fizike, por ka qenë zgjidhje e imponuar.
Shpresa e Kryeziut është se çështja e kaldajës të zgjidhet si problem gjatë pushimit dimëror. Ai ka tërhequr vërejtjen të mos tentohet në rivendoset kaldaja e vjetër pasi ajo sipas tij paraqet rrezik për jetën e punonjësve të shkollës por edhe nxënësit.
Në Malishevë është në kujtesë rasti që ka ndodhur para pak vjetësh në shkollën "Ibrahim Mazreku" të Malishevës kur nga defektet në kaldajë u mbyt punëtori teknik i shkollës, Zymer Hoti.
Mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Zymrije Gashi ka thënë të enjten për KOHËN se mësimi online nuk ka qenë efikas sikur mësimi në shkollë, por nuk ka qenë edhe pa rezultate.
"Jo efikas si në shkollë, por jo edhe i dështuar, ne u detyruam të kalojmë disa ditë në shkollë duke mërdhirë, dhe mësimi online ishte zgjidhje më e mirë se kjo", ka thënë ajo.
Kryetari i fshatit Mleçan, Ismet Kryeziu, ka thënë për KOHËN se problemi i kaldajës duhej të zgjidhej më shpejtë nga komuna, por ka arsyetuar se problemi ndodhi në periudhën e konstituimit të institucioneve të reja.
"Ndodhi në kohë të keqe prishja e kaldajës, institucionet ende duke u formu, nxënësit mbetën në shtëpi, dhe dihet që mësimi si në objektin shkollor nuk bëhet askund, por të shpresojmë se në gjysmë vjetorin tjetër nuk do të kemi probleme", ka thënë Kryeziu.
