Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkencëtarja e vitit në Kosovë bën thirrje të përkrahen e motivohen gjeneratat e reja

Kardiologia Ibadete Bytyçi të hënën së bashku me Fjolla Kaçanikun janë shpallur shkencëtare të vitit 2021 nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit.

Bytyçi në një bisedë për Emisionin “Sot” në KTV ka thënë se ky çmim është motiv për të.

Sa i përket përkrahjes nga shteti në rrugëtimin e saj, ajo ka thënë se është shumë e pakët dhe se duhet përmirësuar. Bytyçi ka thënë se duhet që gjeneratat e reja të përkrahen financiarisht e po ashtu moralisht.

“Ka hapësirë për t’u përmirësuar sa i përket mbështetjes nga shteti, pasi nuk është e mjaftueshme. Kam pasur fatin të prezantojë në shumë vende të Evropës, kam prezantuar të paktën edhe një herë në jetën time në kongreset më të rëndësishme në botë në kardiologji, si në Evropë ashtu edhe Amerikë. Në Amerikë isha për herë të parë si prezantuese prej Kosovës në Kongresin Amerikan të Kardiologjisë. Sa i përket mbështetjes në fakt unë më shumë kam bërë kërkesa për grante të udhëtimeve për Kongreset Amerikane e të Evropës, e në këtë mënyrë kam arritur të realizojë prezantimet e mia. Mbështetja nuk është e duhur. Shpresoj të bëhet vetëdijesim e të stimulohen gjeneratat e reja. Ata kanë nevojë për dy lloje të stimulimeve, financiar dhe moral. Duhet të përkrahen moralisht që të vetëdijesojmë e japim shembull se shkenca ka vlerë”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi ka përfunduar studimet për mjekësi në Prishtinë, ndërsa specializimin e subspecializimin në QKUK. Doktoratën e ka përfunduar në Universitetin Umea të Suedisë, ndërsa aktualisht është kardiologe në QKUK. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e kongrese të kardiologjisë nëpër Evropë e botë dhe ka disa punime shkencore.