Shefi i Konsullatës së Kosovës në Shtutgart, Imer Lladrovci, është shkarkuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pa e rrumbullakuar një mandat të plotë. Derisa ministrja e konsulli nuk kanë treguar arsyet e shkarkimit, ndaj shefit të Konsullatës ka pasur ankesa nga disa shoqata të cilat i kanë nisur notë proteste edhe Qeverisë
Fshesa e ministres së Punëve të Jashtme është kthyer nga diplomatët e rangut më të ulët, pas shkarkimit të ambasadorëve të emëruar me çelës politik. Pa e mbushur një mandat të plotë, ministrja Gërvalla ka shkarkuar shefin e Konsullatës së Kosovës në Shtutgart, Imer Lladrovci. Ai kishte nisur punën në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2018, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj e shef diplomacie Behgjet Pacolli. Si diplomat karriere, Lladrovci më herët ka shërbyer edhe në Austri.
I kontaktuar nga KOHA, Lladrovci nuk ka pranuar të flasë për shkarkimin duke kërkuar që pyetjet t’i drejtohen Zyrës për media në MPJD.
“Jam në takim… Ju lutem drejtohuni Zyrës për media në MPJD”, ka thënë shkurt ai.
Por MPJD-ja prej të premtes nuk ka ofruar sqarime. Burime të KOHËS kanë thënë se ministrja nuk ka qenë e kënaqur me punën e Lladrovcit, i cili ka lidhje familjare me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ndaj tij së fundi ishte ankuar një grup i shoqatave kulturore, ku më 2 dhjetor u kishin nisur një notë proteste ministres Gërvalla e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. Në kopjen e dokumentit që ka siguruar KOHA thuhet se Lladrovci e ka privatizuar Konsullatën duke ia përshtatur agjendës së tij private.
“Deri më tani ne nuk kishim ndjenjën e ndarjes e as të diferencimit, por kohëve të fundit jemi dëshmitarë të organizimeve nga konsullata e cila diferencon dhe ndan diasporën varësisht nga simpatitë apo ndoshta edhe sipas interesave personale. Ndodhi kjo , kur konsullata fare nuk fton përfaqësuesit e shoqatave në shënimin e festës së 28 Nëntorit, pastaj edhe takimi me ish-presidentin shqiptar, Moisiu, kishte ndodhur vetëm me të afërm dhe duke diferencuar. Jemi mësuar tanimë që promovimet e librave nga Konsullata të ndodhin si të ishin festa private të shefave. Jo vetëm aty, por në shumë raste këto janë evenimente private të shefave konsullorë”, shkruan në letrën e dërguar nga shtatë shoqata shqiptare që veprojnë në Gjermani.
“Ky diferencim të bën të shtrosh pyetjen se cila ishte arsyeja që Konsullata nuk vazhdon traditën e bashkimit e cila ishte krijuar ndër vite! Një kohë kur Konsullata hapte dyert për diasporën dhe promovimet, pavarësisht a organizonin shoqatat apo Konsullata. Atëherë kur ne kishim ndjenjën që po prekim shtetin kur Konsullata kishte dyert e hapura për të gjithë! Kjo të shtyn në bindjen që vetëdija dhe arsimimi e luftojnë indiferencën e menaxherëve të cilët e shohin institucionin si diçka të përbashkët dhe të popullit pa dallim, asgjë më shumë pos konsujt, shefat, të mos e trajtojnë institucionin privat, por te na e lënë bindjen që na u pat krijuar në ato vite që shteti jemi ne e jo dikush, e aq më pak një konsull”.
Shkarkimi i Lladrovcit ka ndodhur pak ditë pas dërgimit të kësaj note në Ministri.
Javën e kaluar ministrja Gërvalla ka realizuar një vizitë në Gjermani, ku takoi edhe shoqatat shqiptare. Por, sipas burimeve, Gërvalla nuk ka takuar edhe konsullin e përgjithshëm në Shtutgart.
KOHA ka provuar t’i kontaktojë disa prej shoqatave të listuara në notë, por kanë thënë se nuk kanë çfarë të shtojnë përtej atyre që i kanë shprehur në letër.
Përveç 12 ambasadorëve të shkarkuar në fillim të këtij viti, ministrja nuk ka treguar nëse do të shkarkohen edhe konsujt, disa prej të cilëve janë emëruar duke shpërfillur procedurat.