Tregtarët ambulantë ankohen për aksionet e Policisë Bashkiake, ku punonjësit e saj u marrin me forcë prodhimet e tyre. Gjobat janë një tjetër shqetësim që ata ngrejnë. Të vetëdijshëm se nuk mund të tregtojnë në rrugë, ata thonë se i detyron nevoja.
Me disa kokrra limonë, pak gjalpë e fasule në çantë, Aishja 84-vjeçare lë çdo mëngjes Krujën dhe shkon në një nga tregjet e kryeqytetit, raporton OraNews.
Nga shitja e këtyre prodhimeve thotë se mund të sigurojë vetëm bukën e ditës, pasi pjesën tjetër të fitimit e përdor për të mbuluar koston e rrugës.
Por jo gjithmonë ia del pasi ka raste kur gjithë çfarë ka përfundon në duart e Policisë Bashkiake.
Aishja, tregtare: “Me forcë ta kap si qen, ta kap mollën”.
Gazetarja: “Ju çfarë bëni në momentin që ata vijnë?”
Aishja: “I shkojmë u themi ‘ma jep, ma jep’, e s’ta jep”.
Shqetësimi i Aishes është i të gjithë shitësve ambulantë që shesin përgjatë rrugëve të Tiranës.
Por përveç gjobave që janë të barabarta me fitimin, ata ankohen për forcën dhe terrorin që përdor Policia Bashkiake ndaj tyre.
Tregtari: “Tamam si serbi që sulmonte kosovarët. Vijnë na i marrin me forcë, 3 a 4 veta, na shtyjnë. Pension s’kemi, gjë s’kemi, ne ilaçet na bëjnë 100 mijë lekë. Me se do të rrojmë? Dalim nga e keqja”.
Për t’i dhënë zgjidhje situatës, Bashkia ka ofruar tregjet e ndërtuara së fundmi, në të cilat këta tregtarë refuzojnë të shkojnë pasi taksa që duhet të paguajnë është shumë e lartë.
Tregtarja: “Ata bëjnë punën e vet, por ne shesim këtu, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Ndonjëherë na bërtasin, ndonjëherë s’na bërtasin ne që s’kemi tezga”.
Tregtari: “Rrugës nuk duhet të shesësh, por nevoja në bie këtu”.
Sekuestrimi me forcë i prodhimeve të tregtarëve dhe sjellja jo njerëzore e punonjësve të Policisë Bashkiake është denoncuar shpesh herë edhe në rrjetet sociale përmes videove.
Por nga ana e saj vetë Bashkia i justifikon këto aksione me kauzën e mbajtjes pastër të qytetit dhe tregtimin në kushte të përshtatshme higjeno-sanitare.