Naxhije Skënderi, sa herë vjen në Klinikën e Onkologjisë në QKU nga komuna e Pejës, është në shoqëri të vajzës së saj, tani 13-vjeçare.
Këtë 8 mars, ajo ka shfrytëzuar ditën e pushimit të vajzës që të vijë për të marrë medikamentet Anastrazol e Ibandronate, që i merr çdo muaj, si e diagnostikuar me kancer të gjirit që nga viti 2011.
Ajo nuk është lejuar t’i marrë ato, pasi ende nuk ishte mbushur një muaj nga hera e fundit që i kishte marrë.
Por, Skënderi, që udhëheq me shoqatën “Dukavita”, rikujton se në muajin janar i kishte marrë më datë 4, e në muajin tjetër, shkaku i mungesës që kishte pasur, në datën 13.
Por, për rastet kur mungojnë barërat, përgjegjësinë nuk e ka klinika, thotë Ardian Millaku në Klinikën e Onkologjisë.
Millaku është i njoftuar me rastin e pacientes Skënderi, por ka thënë se nuk bëjnë përjashtime për të shmangur keqpërdorimet e mundshme, por edhe për të ruajtur shëndetin e pacientëve.
Përndryshe, shoqata “DukaVita”, sipas Naxhije Skënderit, në vazhdimësi, ka kërkuar që medikamentet për pacientë me kancer të shpërndahen nëpër komunat kryesore, e gjithashtu edhe prezencë të onkologëve në spitalet rajonale.