Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shfaqen në TikTok ofertat për migrantët shqiptarë

Një llogari në TikTok ka ofruar pako deri në 30 mijë funte, përfshirë edhe gra e fëmijë të rrejshëm, për shqiptarët që jetojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Bandat shqiptare brenda Anglisë rekrutuan nëna beqare britanike ose të BE-së, me fëmijët e tyre, për të ofruar prova që mbështesin të drejtën për të qëndruar në Britani

Një llogari e TikTokut është zbuluar duke ofruar pako “familjarë të rrejshëm” – disa prej të cilave kushtojnë 30 mijë funte – për migrantët shqiptarë që qëndrojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar një hetim.

Oferta synonte kryesisht shqiptarët që kishin hyrë ilegalisht në vend, duke e kaluar Kanalin Anglez, por edhe ata që ishin burgosur dhe përballeshin me deportim.

Bandat shqiptare brenda Anglisë rekrutuan nëna beqare britanike ose të BE-së, me fëmijët e tyre, për të ofruar prova dokumentare që mbështesin të drejtën e emigrantëve për të qëndruar në vend.

Në llogarinë e TikTokut, e cila u krijua më 10 maj, shkruhej: “Kemi djem dhe vajza për martesë. Garantues për djemtë që janë në burg (qendrat e paraburgimit të imigracionit). Zonja me fëmijë, regjistra për atësi dhe aplikime për marrjen e dokumenteve nga Shqipëria me vajza të huaja. Aplikim për të marrë dokumente si njerk ose njerkë. Është shumë e thjeshtë”.

Sipas statistikave të Home Office, shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e migrantëve që kaluan ilegalisht Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla vitin e kaluar – rreth 45.577.

Edhe Pretendime të rreme për dhunë në familje nga emigrantët për të qëndruar në Britani Botë Pretendime të rreme për dhunë në familje nga emigrantët për të qëndruar në Britani

Një reporter i televizionit shqiptar u fsheh dhe pozoi si klient i mundshëm duke pyetur për shërbimet.

Profili i TikTokut thoshte: “Për të gjithë të interesuarit që marrin dokumente në Mbretërinë e Bashkuar, e keni numrin poshtë profilit. Si formë pagese pranojmë apartamente ose makina në këmbim të dokumenteve”.

Vijonte më poshtë: “Në total 30 mijë funte për një grua me një fëmijë, 5 mijë funte depozitë, pastaj 25 mijë funte kur ta merrni certifikatën me emrin tuaj si babai i atij fëmije. 20 mijë funte për t’u regjistruar si njerk, 5 mijë funte depozitë dhe 15 mijë funte kur t’i merrni letrat. Pastaj 25 mijë funte për martesë. Ju paguani 10 mijë funte pastaj, kur i merrni dokumentet, 15 mijë funte”.

Faqja e mediave sociale në pronësi kineze hoqi reklamat dhe ndaloi llogaritë pasi u njoftua.

Edhe Britania do t’i paguajë shqiptarët e famshëm në TikTok që t’i bindin vendasit kundër migrimit Arbëri Britania do t’i paguajë shqiptarët e famshëm në TikTok që t’i bindin vendasit kundër migrimit

Një zëdhënës i kompanisë tha: “Udhëzimet tona të komunitetit janë të qarta: se ne ndalojmë përmbajtjen që tenton të lehtësojë kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“Ne e kemi hequr përmbajtjen e shpërndarë dhe kemi ndaluar përgjithmonë llogaritë për shkeljen e këtyre udhëzimeve”. / AP