Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sherifi: Terminët për vaksinim janë plotësuar deri më 18 gusht

Infermierja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Gjylie Sherifi, ka thënë se të gjithë qytetarët që nuk kanë qasje përmes platformës E-Kosova terminët mund t’i bëjnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Ajo ka thënë se në fillim ka pasur më shumë interes të pacientëve të moshave më të shtyra, ndërkaq tash janë të gjithë.

Sipas saj, vetëm të martën ka pasur 180 pacientë që janë regjistruar.

Sherifi ka thënë se momentalisht terminët janë plotësuar deri më datën 18 gusht.

“Te ne ka interesim shumë të madh për regjistrim për vaksinim. Nganjëherë nuk kemi rrjet por pacientët i vendosim në regjistër e pastaj i fusim në sistem. Këtu kanë të drejtë të gjithë qytetarët të vijnë. Deri në këto ditët e fundit terminët kanë qenë sot për nesër, ndërkaq tash janë plotësuar terminët deri më datën 18”, ka thënë ajo.

Ndërkaq në platformën E-Kosova vetëm për sot janë 18.390 termine. Numri total i vaksinave të administruara sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë është 524094, numri i të vaksinuarve me dozën e parë është 171924, numri i të vaksinuarve me të dy dozat 176085.