Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se qëndrimi i tyre është që në dialogun me Serbinë, Kosova e 17 shkurtit 2008 është e pakontestueshme.
Sipas tij, është manipulim me publikun se kinse Kosova do ta fitojë edhe Luginën e Preshevës.
Gjatë një tryeze diskutimi me temën “Dialogu Kosovë-Serbi – Viti i Ri, Sfidë e vjetër”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Sherifi ka thënë se Kosova është në pozitë defensive.
“Nuk është se jemi në pozicione shumë të mira. Proces që në fund prodhon marrëveshje e cila shitet në Serbi. Ata kanë depërtuar edhe tek miqtë tanë se pa ta nuk zgjidhet çështja e Kosovës. Prandaj ne jemi në pozitë defensive dhe të mbrojmë atë që kemi arritur më 17 shkurt. Por jo duke i rënë secili daulles vetë. Më shumë jemi duke analizuar se cilat do të jenë politikat e vendeve tjera dhe si do ta trajtojnë marrëveshjen me Serbinë, sesa çka synojmë ne të arrijmë. Manipulim me publikun, ndjenja të njerëzve se kinse tash do të fitojmë edhe më shumë në dialog me Serbinë. Po luhet me Luginën e Preshevës Medvegjën e Bujanocin. Por kjo nuk është e vërtetë sepse nuk mund t'i marrim ato territore. Javën e ardhshme nëse arrihet dakordim do ta nxjerrim një projekt platformë, sepse ajo është gati. Qëndrimi ynë se 17 shkurti 2008 është i pakontestueshëm”, ka thënë ai.