Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin “Bilanci i Energjisë” për TM4 2017, ku janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Sipas ASK-së, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017 (TM4 2017) vlera e gjithëmbarshme e prodhimit të thëngjillit është rreth 1.71 mijë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1 131.6 GWh dhe në hidrocentrale është 30.9 GWh, raporton Koha.net.
“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, Kosova ka importuar 380.9 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë, pra TM4 2017, Kosova ka eksportuar 90.0 GWh energji elektrike”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Ndërsa, sipas ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2017, sasia e energjisë elektrike e konsumuar në Kosovë është 1 094.0 GWh energji elektrike.
Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2016), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është ngritur për 18.5%.
Edhe
Rritet për 6 për qind energjia elektrike e konsumuar për TM4 2018
Për më shumë informata lidhur me Bilancin e Energjisë, vizitoni këtë link.
Tutje, ASK ka publikuar edhe “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi” për TM4 2017 (2010 = 100).
Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, në tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Produktet, që e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajëra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket Input 2, mallra dhe shërbime që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat (ndërtesat e fermës, punët e tjera, përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre) dhe të tjera.
Indeksi i tremujorit të katërt të inputeve në vitin 2017 ka rënie për (-2.2%) për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Ndërsa, Indeksi për Input 2 ka rritje për 1.1%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Edhe
Gjatë tremujorit të parë në Kosovë u rrit konsumi i energjisë
Ndërkaq, Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rënie për (-0.8%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Për më shumë informata lidhur me Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për TM4 2017, vizitoni këtë link.