Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, theksoi sot para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se tremujori i fundit ka qenë i dominuar nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe negociatat pasuese për krijimin e një qeverie të re.
Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, Tanin u shpreh se vakuumi i institucioneve funksionale ka sfiduar përparimin në prioritetet qeverisëse dhe shtoi se “gjatë kësaj periudhe u humbën mundësi të rëndësishme ekonomike dhe sociale”. Ai po ashtu theksoi se zgjedhjet “në përgjithësi ishin të lira, të drejta dhe garuese, përkundër kohës së shkurtër të përgatitjeve dhe fushatës”. Tha se u shqua zëri i shumë votuesve më të rinj, për të cilët shqetësim dominues ishin mundësitë ekonomike, zvogëlimi i korrupsionit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit.
Duke folur për iniciativën e propozuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, për një dialog të brendshëm mbi Kosovën, Tanin nënvizoi se “ndjekja e kompromiseve të drejta, dhe shpesh të vështira e të dhimbshme, kërkon udhëheqje të fuqishme nga të gjitha palët”. Ai theksoi se pajtimi politik duhet po ashtu të përcillet nga pajtimi shoqëror.
Tanin theksoi përpjekjet e UNMIK-ut për të mbështetur avancimin e raporteve në mes të bashkësive në terren. Në lidhje me këtë, ai theksoi tryezën e rrumbullakët të mbajtur në Gjenevë, në bashkëpunim me Komisionerin e Lartë për të Drejta të Njeriut, për ta kthyer vëmendjen tek shumë raste të pazgjidhura të personave të pagjetur në Kosovë.
“Iniciativa të tjera të udhëhequra nga OKB-ja për të forcuar marrëdhëniet në shoqëri përfshijnë Asamblenë e Parë të të Rinjve të Kosovës, ku morën pjesë mbi 140 liderë të rinj – 60 për qind prej të cilëve ishin vajza – që përfaqësonin të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë”, tha Tanin.
Pas tre muajsh të fushatës elektorale dhe pasigurisë paszgjedhore, Tanin nënvizoi rëndësinë që Kosova të ecën përpara me seriozitet dhe përgjegjësi, dhe që bashkësia ndërkombëtare të bashkëpunojë për të siguruar mbështetje të vazhdueshme thelbësore.
-
Shefi i UNMIK-ut u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për dialog konstruktiv
-
Tanin përgëzon Kosovën për luftën kundër Covid-19
-
Shefi i UNMIK-ut: Udhëheqja e fortë e uniteti politik në Kosovë janë të nevojshme më shumë se kurrë
-
Tanin: Bashkësia ndërkombëtare pret që liderët e rinj të sigurojnë heqjen e pengesave për dialog
-
Tanin në KS të OKB-së: Çështje e Ushtrisë duhet të trajtohet me kujdesin më të madh të mundshëm