Arbëri

SHBA ofron përkrahje për afirmimin ndërkombëtar të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, është pritur në takim pune nga Gene Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i SHBA-së.

Takimi në mes të dy Auditorëve të Përgjithshëm u zhvillua në një frymë miqësore dhe u fokusua në mundësitë e bashkëpunimi konkret. Me theks të veçantë janë trajtuar çështjet e bashkëpunimit për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidership, auditime të përformancës si dhe zbulimin e aktiviteteve korruptuese dhe të mashtrimit.

Dodaro e ka njoftuar Osmanin me punën e Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-së (GAO), sistemin amerikan të mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike, marrëdhëniet me Kongresin dhe llogaridhënien qeveritare. Ai e ka vlerësuar progresin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe ka shprehur konsideratën e tij për punën e bërë nga ky institucion.

Auditori amerikan e ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës se do të ofrojnë përkrahjen e nevojshme në procesin e transformimit të mëtejshëm të ZKA-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale për rritjen e portfolios së auditimeve të performancës si dhe zbulimin e aktiviteteve të mashtrimit dhe korrupsionit.

Osmani nga ana tjetër e informoi Dodaron për rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, ndikimin e auditimit në rritjen e llogaridhënies në administratën publike të Kosovës dhe objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit që kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes në administratën publike dhe zbatimin e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të financave publike.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e integrimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në institucionet ndërkombëtare të auditimit, me qëllim të përfitimit nga programet për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit. Auditori i Përgjithshëm i SHBA-së theksoi se roli i Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-së në mekanizmat ndërkombëtarë të auditimit është i rëndësishëm dhe shprehu gatishmërinë për të përkrahur aspiratat e Zyrës Kombëtare të Auditimit për t’u bërë pjesë e familjes ndërkombëtare të auditimit të jashtëm.

Ky takim ka inauguruar edhe bashkëpunimin konkret midis dy institucioneve për faktin që dy auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës filluan programin intensiv katër mujor të kombinuar të ligjëratave dhe punës praktike profesionale në Institucionin Suprem të Auditimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e 21 auditorëve nga mbarë bota që janë pjesë e këtij programi.

Vizita e delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vazhdon me takimet tjera në Thesarin Amerikan, Departamentin e Shtetit të Shërbimeve Fiskale, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe USAID.