Nuk besoj se do të vijë deri tek një ndryshim i politikës së SHBA-së ndaj Kosovës gjatë administratës së tanishme amerikane, ka thënë Luke Coffey nga fondacioni “Heritage”, duke iu kundërpërgjigjur disa deklaratave të mëhershme të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq dhe ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në lidhje me gatishmërinë e administratës Trump për të dëgjuar argumentet e Serbisë në lidhje me statusin e Kosovës.
Coffey, në një deklaratë për Zërin e Amerikës edicioni serb, ka kujtuar se Kosovën e kanë njohur mbi 110 shtete anëtare të OKB-së, përfshirë edhe SHBA-në.
“Kur e shikoni, të gjithë anëtarët e Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit, përfshirë edhe shefin John Bolton, mbështesin fushatën e NATO-s dhe rolin e SHBA-së në Kosovë. I vetmi lajm është rifokusimi në tërë Ballkanin Perëndimor, ku lindin sfida të reja dhe si reflektojnë ato në interesat e sigurisë së SHBA-së”, theksoi Coffey, transmeton Koha.net.
Sipas fjalëve të tij, nuk bëhet fjalë vetëm për ndikimin rus, por edhe për veprimtarinë e zgjeruar të Kinës, Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite, Katarit dhe disa vendeve evropiane.
“Disa prej këtyre ndikimeve janë pozitive, e të tjerat jo. Për Amerikën, qëllimi kryesor është qëndrueshmëria, siguria dhe perspektiva ekonomike e rajonit në të cilin ka ende shumë punë të papërfunduara”, sqaroi ai.
Coffey thotë se Amerika ka investuar shumë në sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por thotë se në këtë drejtim, në rastin e Serbisë, e kanë penguar disa faktorë.
Edhe Kosova s’ka arsye për dilema rreth Bordit të Paqes“Një nga ta është roli i pasqaruar i sigurisë i Rusisë në Serbi, e veçanërisht i Qendrës Humanitare ruse në Nish, për të cilin amerikanët besojnë se më shumë ngjan në një bazë ushtarake ruse se në diçka tjetër”, thotë ai.
“Fare nuk dihet se kujt i shërben ajo qendër ruse në Nish. Nëse do të dihej më shumë, ndoshta s’do të kishte kaq shumë tensione”, u shpreh Coffey, transmeton Koha.net.