Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja kundër ngritjes së taksës për mallrat serbe e boshnjake

Foto: Koha / ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ngritur taksën prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

E ngarkuara me Punë pran Misionit të SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, ka thënë se ngritja e taksave ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s nuk i sjell përfitime Kosovës.

Sipas saj, një gjë e tillë krijon vetëm pasiguri për bizneset dhe krijon paqëndrueshmëri ekonomike.

“Ngritja e taksave ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s nuk i sjell përfitime Kosovës. Vetëm krijon pasiguri për biznese dhe gjeneron paqëndrueshmëri ekonomike. Më mirë të bëhen përpjekje për të siguruar një të ardhme të begatë përmes Dialogut”, ka shkruar Hyland në një postim në Twitter.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e datës 6 nëntor, kishte marrë vendim që të rris taksën ekonomike ndaj mallrave të prodhuara në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë për 10 për qind. Nga ky tatim janë të liruara vetëm brendet ndërkombëtare që prodhohen në dy vendet përkatëse.

Vendimi deri më tani është kritikuar ashpër nga Serbia dhe Bosnja, ku e para e ka kushtëzuar dialogun në Bruksel me heqjen e taksës.