Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është shprehur e shqetësuar me rritjen e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.
Në një reagim në Twitter, kjo ambasadë ka thënë se duhen veprime të prera për të reduktuar transmetimin e mëtejmë të virusit, teksa ka shtuar se përgjegjësia në luftën ndaj virusit është e të gjithëve.
“Si punonjëse e më shumë se 500 personave, ambasada e ka marrë këtë përgjegjësi me seriozitet. Duke maksimizuar punën nga shtëpia, duke eliminuar takimet, përpos atyre esenciale, duke kërkuar bartjen e maskës, ne po i mbrojmë punëtorët tanë dhe familjet e tyre”, ka shkruar kjo ambasadë duke kërkuar edhe nga punëdhënës të tjerë të bëjnë të njëjtën.
Ditëve të fundit në vend janë regjistruar shifra rekorde me raste të reja me COVID-19. Deri tash në Kosovë janë regjistruar 20 mijë e 655 raste pozitive, ndërsa 697 persona kanë humbur betejën me virusin.