Arbëri

Shasha për liberalizimin e vizave: Po vjen fundi i një padrejtësie

Demush Shasha ne emisionin Konfront

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se vendimi final i marrë të martën nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është fundi i një padrejtësie që ka zgjatur me vjet.

Shasha ka thënë se është një moment gëzimi, por edhe qytetarët së shpejti do ta kuptojnë se për të shkuar e vizituar qytetet evropiane kushton para.

“Është fundi i një epoke, që ka filluar para 12 vjetëve. Një proces që ka tejzgjatur përtej çdo pritjeje. Nëse kthehemi prapa më 2012, këdo që ta pyesje atëherë, nuk do ta imagjinonte se në vitin 2023 ende do të flisnim për liberalizim të vizave për Kosovën. Është fundi i një epoke dhe një padrejtësie. Fundi i një padrejtësie që u është bërë qytetarëve, që heqin me kufizimet për të lëvizur në Shengen, ndërsa fqinjët tanë lëvizin lirshëm tash e sa kohë”, ka thënë Shasha në “Konfront” të KTV-së.

Shasha ka thënë se është hequr një pengesë psikologjike.

“Është moment gëzimi, dhe moment kur mund të lëmë tash dalëngadalë deri më 1 janar këtë temë prapa nesh e të kuptojmë një gjë, të cilën e kanë kuptuar qytetarët e shteteve fqinje ‘që asgjë nuk përfundon me ditën e liberalizimit të vizave’. E gjitha këto probleme me të cilat ne ballafaqohemi këtu në Kosovë do të mbesin këtu në Kosovë. Do të kthehemi te diskutimi i temave të rëndësishme për një jetë cilësore këtu, njëjtë siç kanë bërë vendet e rajonit. Do të kuptojmë shumë shpejt se për të shkuar deri në Paris e Berlin duhet para, është shpenzim i jashtëzakonshëm”, tha Shasha.