Shqetësime të shumta u adresuan në Komisionin për Arsim në lidhje me përfshirjen e ulët të fëmijëve në edukimin e hershëm. Sipas të dhënave të fundit të MASHTI-t ka rënie të pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parafillor krahasuar me vitin paraprak. Sipas një raporti të organizatës gjermane “GIZ” për gjendjen në arsimin parauniversitar, çerdhet e kopshtet përballen me mungesë të përshtatshme të infrastrukturës, si dhe me mungesë të kurrikulës
Vetëm 6.7 për qind e fëmijëve të moshës deri në pesë vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Këto të dhëna të Ministrisë së Arsimit (MASHT) bëjnë që Kosova të jetë e fundit në rajon, për nga shkalla e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
Mospjesëmarrja në edukimin e hershëm ishte përmendur edhe në Raportin e Progresit, që sipas tij ka ndikuar në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA.
Në Komisionin për Arsim, të martën, është prezantuar raporti mbi gjendjen në sistemin e arsimit parauniversitar, i realizuar nga organizata gjermane, “GIZ”.
Osman Buleshkaj, konsulent në këtë organizatë, ka thënë se ka rënie të pjesëmarrjes së fëmijëve në arsimin parafillor, krahasuar me vitin paraprak.
“Nëse flasim për përfshirjen dhe pjesëmarrjen në arsimin parauniversitar, e kemi sipas statistikave të MASHTI-t për vitin 2020-2021, përfshirja e fëmijëve në arsimin parafillor është 88.1, por me një rënie prej 5 për qind, dhe kjo është ajo klasa 0, klasa parafillore, me një rënie prej 5 për qind nga viti paraprak. Këtë vit thuhet se është një rënie prej 2-3% edhe sivjet, në raport me vitin e kaluar”, ka thënë ai, teksa e ka quajtur sfidues numrin e vogël të çerdheve publike, si dhe operimin pa licencë të çerdheve private. Në Kosovë janë 49 çerdhe publike, ndërsa llogaritet se funksionojnë rreth 250 çerdhe e kopshte pa licencë.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, rreth 100 mijë nxënës më pak janë pjesë e arsimit parauniversitar, krahasuar me vitin 2012. Për këtë, Buleshkaj ka rekomanduar që të rishikohet rrjeti i shkollave, në përputhje me trendët dhe statistikat lokale, si dhe finalizimi sa më i shpejtë i Ligjit për Edukimin Parashkollor dhe të Hershëm.
Deputetja e Partisë Demokratikë të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se është brengosëse që parametrat demografikë nuk janë marrë parasysh gjatë ndërtimit të objekteve shkollore. Ajo ka shtuar se duhet të bëhet një analizë për të parë lokacionet se ku ka nevojë për objekte të reja.
“Unë nuk do të pajtohesha 100 për qind që nuk kemi nevojë për shkolla, ndoshta nuk kemi nevojë për shkolla të reja në kuptimin statistikor, sa shkolla i kemi dhe për natalitetin që e kemi, por kemi nevojë më shumë për shkolla në zona urbane dhe për transformim të hapësirave në shkolla në zona rurale”, ka thënë Hoxha, e cila përmendi se shkollat në Komunën e Fushë-Kosovës janë të stërmbushura.
Problematik në arsimin parauniversitar, sipas kësaj organizate, mbetet vlerësimi joreal i nxënësve.
Në raportin e “GIZ”-it është konstatuar po ashtu se nxënësit vlerësohen me dy nota më të larta sesa performanca e tyre.
Rrezearta Zhinipotoku-Behluli, konsulente, ka thënë se pavarësisht se i kanë ndarë këto të dhëna me komunat dhe nivelin qendror, nuk kanë parë lëvizje nga këto institucione, për të hartuar politika që do të ndihmonin në përmirësimin e gjendjes në arsimin parauniversitar.
“Ne nuk po i përdorim këto të dhënat për të ndryshuar politikat. E kishim testin e PISA-s, nuk kemi bërë asgjë konkrete për të bërë ndryshime në përmirësimin e gjendjes. Ato gjenerata kanë ikur, kanë shkuar".
Në këtë hulumtim u vënë në pah mangësitë e cilësisë së arsimit, si pasojë e mungesës së kurrikulës për arsimin parashkollor.
Në institucione parashkollore ende punohet vetëm me kurrikulën 3 deri në 6 vjeç. Ndërkaq për moshën deri në 5 vjeç nuk ka kurrikulë. Në mungesë të kësaj kurrikule institucionet parashkollore i referohen dokumentit të MASHTI-it, “Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme 0 deri në 6 vjeç”, i nxjerrë në vitin 2011.
Gjithashtu u theksuan se janë evidentuar shumë të meta në tekstet e reja shkollore, të miratuara nga MASHTI.