Me kërkesa të reja në kuadër të procesit të dialogut ka dalë Serbia pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, ndërkohë që të enjten kanë vazhduar takimet e kryeministrit Kurti me diplomatët e huaj. I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së ka kërkuar hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës
Vendosja e reciprocitetit në targa ia ka ndërruar rrjedhën dialogut të Brukselit. Krahas kërkesave të mëhershme, mediat në Serbi kanë prezantuar edhe kushte të tjera të presidentit Aleksandar Vuçiq për t’u rikthyer në tryezën e negociatave. Kërkesa e parë është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E dyta, që Kosova të mos dërgojë forca të Policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pa miratim të Asociacionit. Kushti i tretë është themelimi i dy kompanive serbe për shpërndarje të rrymës në veri, dhe i katërti që trupat gjykuese për rastet në veri të jenë në raport 2 me 1, në favor të serbëve.
Për kërkesën e cila është derivat i marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 ka folur të enjten presidenti serb Vuçiq.
“Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, pres që menaxhmenti të ulet nesër e të nisë me formimin e asociacionit. Shpresoj se s’do të presim edhe 10 vjet të tjerë”, ka thënë ai nga Budapesti.
Pankarta me logon e vetëshpallur të Asociacionit kanë vendosur serbët në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, ku po i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në kufi. Përveç veriut, serbët kanë shpalosur pankarta me logon e asociacionit të vetëshpallur edhe në jug të Ibrit. Por një të tillë në Novobërdë të enjten e ka larguar policia e Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk ua ka shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë. Por në takimet e fundit të zhvilluara në Bruksel qeveritarët kanë thënë se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele në Kosovë. Ato janë funksionale në fushën politike, të arsimit, ekonomisë e shëndetësisë.
Në lidhje me kërkesat serbe KOHA ka pyetur në Zyrën e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por nuk janë deklaruar.
Por në një përgjigje para dy ditëve, zëdhënësi Peter Stano ka thënë se janë të përqendruar në gjetjen e një zgjidhjeje dhe në kthimin e palëve në tryezën e negociatave.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që ta përdorin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka deklaruar Stano.
I pyetur për ultimatumin që i dha presidenti i Serbisë Brukselit rreth marrëveshjeve të Brukselit, Stano ka shtuar se janë të fokusuar në zbutjen e tensioneve dhe këtë e bëjnë përmes kanaleve diplomatike e jo komenteve në publik.
Derisa vazhdojnë të jenë të bllokuara pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, diplomatët e huaj kanë kërkuar uljen e tensioneve. I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar se duhen veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës.
“Takim i mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për riangazhimin në dialogun e ndihmuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e targave dhe çështjet e tjera. Duhen hapa të menjëhershëm për deeskalimin e tensioneve. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.
Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, që ka rishpërndarë komentin e amerikanit, ka thënë se pajtohet plotësisht me thirrjen e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA-së. Sipas tij, vendosja e qetësisë dhe riangazhimi janë të nevojshme menjëherë.
Ka reaguar edhe përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (PSSP), duke u bërë thirrje palëve që të adresojnë çështjet lidhur me zbatimin e masave në targat përmes mekanizmave të dialogut. Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit.
“Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm dhe shef i UNMIK -ut, Zahir Tanin, vë në dukje ngërçin e vazhdueshëm mbi zbatimin e masave në targa dhe bashkohet me partnerët ndërkombëtarë në nxitjen e të gjitha palëve për të adresuar çështjet përmes mekanizmave të vendosur të dialogut, në mbështetje të lëvizjes së lirë të personave dhe mallrave dhe në interes të popullatave”, thuhet në njoftimin e PSSP-së.
“Tanin ua përkujton palëve se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interesin e paqes, sigurisë dhe sigurisë së popullsive. Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”.
Në fillim të javës Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për veturat që hyjnë nga Serbia, masë që nxiti serbët të bllokojnë rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Legjenda: Derisa vazhdojnë të jenë të bllokuara pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, diplomatët e huaj kanë kërkuar uljen e tensioneve. I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar se duhen veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës