Arbëri

Serbia shpalos propozimet, Qeveria e Kosovës mjaftohet me një komunikatë

Zyrtarët serbë kanë fajësuar palën kosovare për dështimin që të arrihet një marrëveshje lidhur me çështjet të cilat prodhuan tensione në terren. Sipas tyre, dy propozimet e dhëna rreth targave dhe dokumenteve të identifikimit janë refuzuar nga Kurti. E, Zyra e kryeministrit të Kosovës përveç një komunikate për media nuk ka dhënë më shumë sqarime rreth diskutimeve disaorëshe në Bruksel të enjten

Qëndrime kundërthënëse në Kosovë e Serbi janë dhënë një ditë pas dështimit të palëve që të arrijnë ndonjë kompromis në Bruksel. Zyra e kryeministrit Kurti përveç një komunikate për media ditën e takimit nuk ka ofruar më shumë detaje nga diskutimet e ndërmjetësuara prej përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell.

Sipas komunikatës, në agjendë kishte dy tema.

“E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garanci të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, shkruan në komunikatën e Qeverisë.

Derisa nuk foli për publikun kosovar një ditë pas takimit, Kurti këtë e ka bërë për një medium spanjoll, i cili ka kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga Spanja.

“Spanja duhet të pajtohet dhe ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për situatën në Ballkan, duke thënë se Rusia bën presion për ta rritur jostabilitetin në kufijtë e BE-së.

Në anën tjetër, zyrtarët serbë kanë shpalosur të premten propozimet e tyre që lidhen me targat dhe letërnjoftimet. Sipas asaj që ka thënë shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Pektoviq, të gjitha propozimet janë refuzuar nga Kurti.

“Serbia ishte e gatshme të pranonte atë që ishte rënë dakord në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, pra që Serbia të lëshonte një dokument për hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë që banojnë në Serbinë qendrore, kur të shkojnë në Kosovë dhe Metohi, në vendkalimin administrativ të Prishtinës, porse kjo nuk do të vlente për serbët nga Kosova”, ka thënë Petkoviq.

“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë serbë që, sipas pikës tre [të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes së vitit 2011], udhëtojnë transit në një vend të tretë. Destinacioni përfundimtar i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk janë Shqipëria e Greqia. Destinacioni i fundit është pragu i shtëpisë së tyre”.

Propozimi i dytë i Serbisë, sipas Petkoviqit, lidhej me targat.

“Ne kemi propozuar që të gjithë pronarët e automjeteve që kanë targa KM të riregjistrohen me targa KS. Kurti ka refuzuar këtë kategorikisht. Kemi ofruar dy zgjidhje, kemi qenë shumë konstruktivë, kemi dashur të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo krizë, t'u përmbahemi të gjitha marrëveshjeve dhe të shohim se si t'i zgjidhim çështjet e tjera të rëndësishme në atë mënyrë. Kurti i refuzoi të gjitha”.

Petkoviqi tha se një adresim i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i paraparë të mbahej të premten, është shtyrë për të dielën, kur edhe do t’i presë në Beograd përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

“Presidenti Vuçiq të dielën do të flasë për gjithçka, për dialogun, për detajet, për propozimet se si është sjellë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, si dhe çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të ruajtur jetën e popullit tonë në Kosovë”, ka deklaruar Petkoviq.

Ai shtoi se Serbia është duke e bërë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Të enjten në Bruksel për disa orë u mbajt takimi i nivelit të lartë në nivel të dialogut Kosovë-Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak. Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje, derisa përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se nuk do të dorëzohen dhe përpjekjet do të vazhdojnë.

SHBA-ja kërkon të mos ndalen përpjekjet për kompromis

E ShBA-ja, që mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, ka inkurajuar palët që të mos ndalen së kërkuari një zgjidhje teksa ka konfirmuar se zyrtarë të saj janë të përfshirë nga afër në proces.

“Ne, në partneritet me BE-në, po vëzhgojmë me shumë kujdes. Ne inkurajojmë të dyja palët që ta shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u bëjmë thirrje palëve të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve. Ne dëshirojmë të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut; dhe ne besojmë se, si parim i gjerë, dialogu dhe kompromisi janë komponentë kritikë të qeverisjes, duke përfshirë rastin e Kosovës dhe Serbisë. Kompromisin nuk e shohim si një simptomë apo një reflektim dobësie, ne besojmë se është thelbësore të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila mbetet thelbësore për aspiratat e të dyja vendeve për anëtarësim në BE”, ka thënë, Ned Price – Zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

I pyetur nëse ambasadori amerikan në BE përçoi një mesazh nga Shtëpia e Bardhë ditën kur u zhvilluan bisedimet, Price ka shtuar se një numër i madh zyrtarësh janë afër këtij procesi.

“Epo, ka një numër zyrtarësh të lartë që po e shikojnë këtë nga afër përtej një zyrtari të lartë që është në të vërtetë në Bruksel duke vëzhguar fizikisht këto bisedime. Mund t'ju siguroj se kjo ka një nivel të lartë vëmendjeje. Ambasadori ynë në BE, ambasadori Gitenstein, është një nga zyrtarët që po e ndjek këtë nga afër, por ka edhe zyrtarë të lartë këtu që po e bëjnë këtë. E di që kjo është një çështje për të cilën vetë sekretari Blinken ka shpenzuar mjaft nga koha e tij e investuar personalisht”, ka shtuar ai.

Pas mungesës së rezultateve në takimin e fundit, një pjesë e opozitës në Kosovë ka kërkuar që rolin e ndërmjetësit ta marrë ShBA-ja.

“Zbatimi i rendit dhe ligjit në tërë vendin duhet të ndodhë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të rikthehemi prapë të flasim për të njëjtat tema. Amerika kësaj here i dha shtytje procesit të udhëhequr nga BE dhe ndihmoi dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi. Duke i shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portofolin te presidenti Biden për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”, ka shkruar të premten në Facebook kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Serwer: Dy temat që e bëjnë të pamundur marrëveshjen

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë për KOHËN se do të jetë vështirë arritja e një marrëveshjeje për shkak të kundërshtimeve rreth dy temave kryesore.

“Njohja, ajo që e dëshiron më së shumti Kosova, dhe Asociacioni, ajo që e dëshiron më së shumti Serbia, do të zgjidhen vetëm në fazën finale të negociatave. Unë do të shkoja më tej: Asociacioni do të duket shumë ndryshe në kontekstin e njohjes nga Serbia dhe pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Por, unë nuk mendoj se Serbia është e gatshme për njohje dhe Kosova nuk është ende gati për Asociacionin, kështu që është mirë që fillimisht të kryhen disa gjëra të tjera”, ka theksuar ai.

Serwer ka vlerësuar se parimi i reciprocitetit, i zbatuar me maturi, është i saktë. Ndërkaq ka ironizuar me rolin e BE-së në procesin e dialogut.

“Shpresoj që qeveria e SHBA dhe Bashkimi Evropian të bien dakord. Nëse e bëjnë këtë, gjërat duhet të shkojnë mirë muajin tjetër. Përpjekja e BE-së është e vetmja lojë në qytet. Është më e mira për ta luajtur atë”.

Pas takimit të së enjtes, asnjëra palë, as ndërmjetësuesi në dialog nuk kanë treguar nëse është ngritur çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin insiston Serbia. Kryeministri Kurti disa herë e ka përsëritur se nuk do të lejohet krijimi i një mekanizmi të tillë. Lidhur me Asociacionin, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ai duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e ligjet e Kosovës, teksa ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për përmbushjen e këtij obligimi.

Vendosja e reciprocitetit në targa dhe letërnjoftim acaroi Serbinë, e cila ndërmori një fushatë të egër dezinformuese për serbët në veri, duke spekuluar se atyre do t’u konfiskohen dokumentet personale në kufi.

Pas bllokadës disaorëshe Qeveria iu përgjigj pozitivisht thirrjes së ShBA-së që ta shtyjë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator. Kurti ka paralajmëruar më herët se vendimi do të zbatohet. Sipas tij, ka vetëm një rrethanë për moszbatimin e tij, e ajo është që edhe Serbia t’i japë fund praktikës së aplikuar për më shumë se një dekadë, sipas së cilës çdo shtetas kosovar që kalon nëpër pikëkalimet e fqinjit verior të pajiset me një dokument hyrje-daljeje.