Arbëri

Sëmundja që dikur trajtohej në QKUK, tani referohet jashtë

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Mirëdita Ademi vuan nga insulinoma e pankreasit. Ajo duhet t’i nënshtrohet një operacioni të cilin QKUK-ja thotë se nuk di ta kryejë, që Fondi për trajtim jashtë vendit thotë se nuk e ka në listë të sëmundjeve, që spitalet në Turqi ia kanë kërkuar 25 mijë euro për ndërhyrje me metodën WHIPPLE e që QKUK-ja më 2020 është lavdëruar në Facebook që ka kryer 15 operime brenda 2019-s me të njëjtën metodë. Në përgjigjen zyrtare të QKUK-së thuhet se vetëm 1 ndërhyrje është bërë për trajtim të insulinomës së pankreasit më 2021 dhe se mjeku është pensionuar

Mirëdita Ademi ka një sëmundje që e lë pa vetëdije kohë të gjatë. Sëmundje që dikur është trajtuar suksesshëm në QKUK e tash ky institucion pacientët i referon jashtë vendit.

Mirëdita, që është 42-vjeçare, vuan nga insulinoma e pankreasit, patologji që ia zbret nivelin e sheqerit në gjak dhe, siç tregon bashkëshorti i saj, me ditë mbetet pa vetëdije. Për ta trajtuar dhe ndalur avancimin e sëmundjes ajo duhet t’i nënshtrohet një operacioni të cilin QKUK-ja thotë se nuk di ta kryejë, që Fondi për trajtim jashtë vendit thotë se nuk e ka në listë të sëmundjeve, që spitalet në Turqi ia kanë kërkuar 25 mijë euro për ndërhyrje me metodën WHIPPLE e që QKUK-ja më 2020 është lavdëruar në Facebook që ka kryer 15 operime brenda një viti me të njëjtën metodë. Se operime të kësaj sëmundjeje janë kryer në QKUK kanë pranuar edhe mjekët me përvojë të gjatë në Kirurgjinë Abdominale e që disa tash janë pensionuar, por që nuk kanë pranuar të flasin publikisht.

Ndërkohë, Mirëdita rri në shtëpi. Spitalet nuk merren më me të, përveç ndonjë infuzioni që e merr kohë pas kohe në QMF të Podujevës. Atë më 11 janar konsorciumi i mjekëve i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale e ka referuar për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se intervenimi kirurgjik është specifik për përvojën dhe kushtet në QKUK.

“Për këtë paciente është diskutuar edhe në Kolegjiumin profesional të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale. Konkluzioni ishte se nuk kemi eksperiencë profesionale në trajtimin e kësaj patologjie dhe ajo duhet të referohet për trajtim kirurgjik jashtë shtetit”, shkruan në raportin konziliar të nënshkruar nga katër mjekët: Vesel Skenderi, Besim Sermaxhaj, Arsim Çerkinaj dhe drejtori i Klinikës, Enver Fekaj. Përveç mungesës së përvojës profesionale, në këtë fletëreferim si problem është përmendur edhe mungesa e ultrasonografisë si arsye që e pamundëson trajtimi në këtë klinikë. Ultrasonografia është aparaturë për diagnostikimin e sëmundjes e jo për trajtimin e saj. Këtë diagnostikim pacientja e ka bërë paraprakisht në klinikë private.

Sëmundja nuk është në listë

Ky argumentim i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale nuk ka mjaftuar që pacientes t’i sigurohet trajtimi diku tjetër.

Më 12 janar, Fondi për trajtim jashtë vendit nuk ka lëshuar fletëzotim për trajtim jashtë vendit për Mirëditën, meqë sëmundja e saj nuk është në Listën e Udhëzimit Administrativ.

“Në lidhje me aplikimin tuaj me nr. Prot.42 të datës 11.01.2023, ju njoftojmë se diagnoza dhe procedura shëndetësore për të cilat jeni referuar nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale bazuar në raportin konziliar me nr. Prot.104, të datës 11.01.2023, nuk është e përfshirë në Udhëzim Administrativ 03/2017 për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike (siç përcaktohet me nenin 5, paragrafi 2) dhe rrjedhimisht Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk mund të lëshojë fletëzotim për fillim të trajtimit shëndetësor”, shkruan në dokumentin e përgjigjes së Fondit për pacienten.

Mirëdita, e cila me bashkëshortin e saj jetojnë në një shtëpi të vjetër njëdhomëshe në Podujevë, duket e pafuqishme jo veç për të ndryshuar situatën në të cilën gjendet, por edhe fizikisht. Mezi flet e edhe më vështirë mund t’i mbledhë forcat të ngihet nga shtrati.

"Më hup sheqeri, më hup vetëdija. Deri tash këta (mjekët v.j.) nuk e kanë ditë, tash në gusht ma kanë zbuluar që po më bjen sheqeri. S’e kanë ditë çka kam qe 6 vjet. Kështu jam ma shumë pa vetëdije. Kur më hup ka 3 ditë nuk më kthehet”, tregon ajo. E thekson se edhe pasi i është zbuluar sëmundja që është formë e tumorit në pankreas, institucionet shëndetësore nuk ia kanë bërë një zgjidhje. “Kurgjo hiç. Ai shko këtu, ai shko aty. Kështu mjekët ma kanë bërë. Deri tash kërkah hiç. S’e di”.

Bashkëshorti i Mirëditës, Sami Raqi, ka punuar deri para disa muajsh në ndërtimtari. E ka lënë punën për t’u kujdesur për gruan e tij. Familja e vogël e tyre nuk ka kurrfarë të ardhurash dhe trajtimet e kohëpaskohshme në QMF në Podujevë me glukozë për t’ia shtuar nivelin e sheqerit në gjak mezi i përballojnë. Por Raqin më shumë e brengos fakti që mostrajtimi i Mirditës po ia mundëson sëmundjes avancimin, që çon në dëmtimin e organeve të tjera.

“Është e sëmurë prej tumorit në pankreas, ka nisë edhe dëmtimi i zorrëve t’i bëhet. E kemi pasë në spital, ku na kanë thënë që ta çojmë jashtë vendit”, ka treguar ai. “Këtu na kanë thënë që nuk kemi mjete për ta operuar se është operacion i rëndë. Kemi aplikuar në ministri që na ka refuzuar dhe tash kemi mbetur në shtëpi. Nuk po dimë çka të bëjmë”.

Bashkëshorti i Mirditës ka thënë se mjekët ia kanë shpjeguar se për shkak të kësaj sëmundjeje trupi i pacientes nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose sasia e prodhuar që e ka në pankreas nuk është plotësisht efektive, si rezultat bie niveli i sheqerit dhe kjo shkakton humbjen e vetëdijes. Kështu edhe nis dita e tyre. Ai tregon që qysh në mëngjes Mirëditës i humb vetëdija dhe kur problemi zgjat e thërret autoambulancën për ta trajtuar në emergjencë në QMF.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, që bashkë me tre mjekët e tjerë kanë nënshkruar raportin konziliar, e ka konfirmuar edhe përmes një përgjigjeje për KOHËN se “kjo sëmundje nuk mund të trajtohet në QKUK”.

”Ky rast është prezantuar në Kolegjiumin profesional të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, ku konkluzioni ishte që ky rast të referohet për trajtim jashtë vendit, për shkak të mungesës së eksperiencës profesionale për trajtimin e insulinomës në Klinikën tonë”, është përgjigjur ai përmes emailit rreth këtij rasti.

Dy mjekët, Vesel Skenderi dhe Besim Sermaxhaj, nuk kanë pranuar të flasin për rastin, ndërsa Arsim Çerkinaj ka thënë se për këtë çështje do të përgjigjet drejtori.

Revidimi i listës

Drejtori Fekaj ka sqaruar se “asnjëri prej kirurgëve në kuadër të stafit aktual nuk ka eksperiencë në trajtimin e kësaj patologjie” dhe se një kirurg që e ka trajtuar atë ka më shumë se një vit që është pensionuar. Sipas tij, bëhet fjalë për Preveza Abrashin.

“Në kuadër të listës së patologjive që nuk trajtohen në Klinikën tonë është edhe insulinoma e pankreasit, është dashur dhe duhet të përditësohet lista e patologjive që nuk mund të trajtohen në Klinikën tonë, bazuar në referimet tona pranë Drejtorisë së SHSKUK-së. Obligim i Klinikës sonë është referimi pranë Drejtorisë së SHSKUK-së i patologjive që nuk mund t'i trajtojmë, bashkë me arsyetimin përkatës”, ka shkruar Fekaj në përgjigjen drejtuar KOHËS. “Gjatë periudhës kohore, viti 2019, 2020, 2021 dhe 2022, është realizuar një intervenim kirurgjik te një pacient me insulinomë të pankreasit. Ky intervenim është realizuar në vitin 2021, nga një kirurg i përgjithshëm që është në pension që nga fundi i vitit 2021”.

Ministria e Shëndetësisë përmes email-it ka deklaruar se lista e sëmundjeve për trajtim jashtë vendit është në proces të revidimit, por nuk ka komentuar se si ndodh që në QKUK të rritet numri i sëmundjeve që nuk trajtohen më e rrjedhimisht edhe kërkesa e zgjatjes së listës për trajtim jashtë vendit.

“Udhëzimi Administrativ aktual është në procedurë të plotësim\ndryshimit dhe deri në një draft përfundimtar që do të përfshinte edhe këtë sëmundje, fondi është i detyruar të respektojë legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkaq, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është përgjigjur për rastin e sëmundjes që ka Mirëdita.

“Në bazë të të dhënave që posedon Fondi, figurojnë dy raste të referuara me indikacion urgjent nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, me diagnozë insulinoma e pankreasit, ku institucioni ynë nuk ka lëshuar fletëzotim duke respektuar kështu Udhëzimin Administrativ 03\2017 për TMJSHP, konkretisht nenin 5, paragrafi 2”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Fondi.

25.000 euro në Turqi

Në ofertat që i ka marrë pacientja nga spitalet e Turqisë për trajtim jashtë vendit, siç e ka prezantuar bashkëshorti i saj dokumentin, thuhet se ajo duhet t’i nënshtrohet intervenimit WHIPPLE i cili do t’i kushtonte 25.000 euro. Intervenim ky që, sipas një postimi publik të QKUK-së në Facebook, është kryer me sukses në këtë qendër.

Në një postim të bërë në qershor të vitit 2020 nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës thuhet se ndërhyrja WHIPPLE po aplikohet në QKUK.

“Në Kirurgjinë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare më 2019 janë kryer 15 operacione me procedurën WHIPPLE, e cila ka nisur të aplikohet në Qendrën Klinike Universitare viteve të fundit. Ndërhyrja WHIPPLE është operacioni më radikal në kirurgjinë e barkut, me një qasje efektive në eliminimin e tumorit, që shfaqet në pankreas dhe në zorrën dymbëdhjetëgishtore. Intervenimi i tillë, me metodën klasike të hapur, zgjat zakonisht 4 deri në 8 orë, ndërsa me laparaskop koha është më e shkurtër dhe ndërhyrja është më pak invazive. Ky operacion kushton shumë jashtë vendit. Intervenimi, që po kryhet në QKUK, i ka shpëtuar miliona euro buxhetit të shtetit, kurse pacientëve u ka ofruar mundësinë për trajtim në Kosovë”, shkruan në postimin e QKUK-së të para tre vjetëve.

Por edhe udhëheqës e mjekë me përvojë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale e kanë konfirmuar për KOHËN se intervenimi i patologjisë insulinoma e pankreasit është bërë më herët në këtë klinikë dhe se, sipas tyre, edhe procedura WHIPPLE një ndër procedurat që mundë t’i nënshtrohet pacienti i diagnostikuar me këtë patologji.

Ata kanë shtuar se trajtimi i kësaj patologjie është madje më pak i komplikuar se shumë raste të tjera që janë trajtuar në këtë klinikë. Ata nuk kanë pranuar të flasin publikisht, ndërsa drejtori aktual i Klinikës, Enver Fekaj i pyetur se pse nuk është bërë intervenimi nga mjekë të tjerë me përvojë që punojnë në QKUK, ka insistuar që i vetmi që ka kryer intervenim të tillë është mjeku që ka dalë në pension.