Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i pyetur për ftesën që presidenti u ka bërë opozitës që t’i bashkohen grupit negociator për bisedime me Serbinë, Selimi deklaroi se me këtë presidenti nuk ka për qëllim që t’i përfshijë ata, porse t’i bëjë bashkëfajtorë.
Sipas tij grupi negociator kanë bërë probleme të mëdha për Kosovën, dhe këtu dëshirojnë që ta përfshijnë edhe opozitën.
Ai deklaron se edhe Qeveria e Kosovës ka gabuar që është bërë bashkëfajtore që është bashkuar me Thaçin për të formuar një ekip negociator.
Qeveria, sipas Selimit nuk mund të ndryshojë qasjen e Thaçit, i cili shihet si partner i pazëvendësueshëm edhe nga Serbia, raporton rtv21.
Ai më pas foli edhe për mundësinë e integrimit në BE.
Kushtet për të hyrë në BE, sipas Selimit nuk duhet assesi të ndërlidhen me Serbinë, dhe nëse duhet të integrohemi në BE vetëm përmes Serbisë, ai deklaron se kjo çështje është e papranueshme.
Sipas Selimit, Kosovës nuk i janë vënë kushte në raport me Serbinë për t’u integruar në BE, por është e kundërta, Serbisë i janë vënë kushte.
Selimi shton se është çështje e Serbisë rruga e saj drejt BE-së, gjë të cilën ne nuk duhet t’a paguajmë. “Në vend që ne t’i vinim kushte Serbisë për integrimin e saj, i janë vënë kushte Kosovës”, përfundoi deputeti.