Bizneset prodhuese që kanë marrë kredi investive para tetorit të këtij viti, janë të pakënaqura me pakon subvencionuese të Qeverisë. Kjo, meqë me këtë pako për ndihmë ndaj bizneseve prodhuese, Qeveria do t’i subvencionojë kreditë investive që janë marrë nga 1 tetori i këtij viti e tutje, e jo edhe ato kredi që janë marrë gjatë kohës së pandemisë, por para kësaj date
Selektiv dhe i padrejtë po cilësohet vendimi i Qeverisë që në kuadër të programit të ringjalljes ekonomike të subvencionohen kreditë investive për bizneset prodhuese në Kosovë. Data prej kur do të nis subvencionimi i 20 për qindëshit të këtyre kredive është vendosur të jetë nga 1 tetori, që pretendohet se po penalizon bizneset tjera prodhuese që kanë marrë kredi para kësaj date.
Me këtë pako është paraparë që të subvencionohet 20 për qindëshi i kredive investive për kreditë deri në 2 milionë euro. Subvencionimi i 15-përqindëshit të kredisë do të bëhet pasi të disbursohet 70 për qind e vlerës së kredisë nga biznesi, ndërsa 5-përqindëshi do të transferohet kur për shumën e njëjtë janë paguar pagat e punëtorëve të rinj që janë punësuar në atë biznes. Dhe kjo pako që është prezantuar gati para një jave, sipas Qeverisë, ka për qëllim zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të bizneseve dhe punësimin e qëndrueshëm.
Kushtrim Ajvazi, kontabilist i disa bizneseve prodhuese thotë se është e padrejtë të mos subvencionohen edhe kreditë e bizneseve që kanë guxuar të investojnë gjatë kësaj kohe të pandemisë e të cilat janë edhe shkak i rritjes ekonomike me të cilën po krenohet Qeveria.
“Ky vendim nëse mbetet i tillë, për mendimin tim është selektiv për shkak se një pjesë e madhe e bizneseve ndoshta kanë kryer investime brenda këtij viti, kanë marrë kredinë brenda këtij viti, kanë filluar i kanë bërë parapagimet për linjat e prodhimit brenda këtij viti edhe pse linjat e prodhimit ndoshta ende nuk kanë ardhur, dhe nuk mund të përfitojnë sipas këtij vendimi”, ka thënë ai.
Ajvazi ka thënë se është duke pritur formimin e Komisionit përkatës që do të merret me këtë çështje, të cilit, ai ka thënë se do t’ia parashtrojë ankesat, e mes tjerash edhe kërkesën që së paku aplikimi e kësaj mase të nisë nga fillimi i këtij viti.
“Nëse po thirremi në pako për ringjallje ekonomike dhe nëse jo prej vitit të kaluar, atëherë së paku prej një janarit të këtij viti është dashur të nisë aplikimi i kësaj mase”, ka shtuar ai.
E për ekonomistin Sejdi Rexhepi, kjo pako është e mirëseardhur për bizneset prodhuese në vend, por kufizimi i afateve kohore është i padrejtë. Sipas tij, kjo mund të jetë bërë për shkak të resurseve buxhetore që Qeveria i ka në dispozicion.
“Personalisht konsideroj që aplikimi i saj prej datës 1 tetor nuk është i drejtë për arsye se pasojat e pandemisë kanë qenë gjatë vitit të kaluar kurse procesi i rimëkëmbjes ka filluar këtë vit. E shohim që ekonomia e Kosovës ka rritje kjo tregon që bizneset kanë pasur iniciativa dhe kanë gjetur forma të ndryshme të financimit të aktivitetit të vet”, ka deklaruar Rexhepi.
Meqë pakoja për ndihmë ndaj prodhuesve vendorë është pako në kuadër të programit të rimëkëmbjes ekonomike, Rexhepi thotë se është dashur të gjenden mënyra që edhe aplikimi i saj të niste prej atëherë kur ka nisur zbatimi i këtij programi.
“Konsideroj që të gjitha ato biznese që kanë marr kredi investive që nga data e aprovimit të programit të rimëkëmbjes nga Qeveria duhet të gëzonin përkrahje nga kjo masë. Normalisht, duke ofruar dëshmi se kanë marrë kredi investive dhe se të njëjtat i kanë implementuar në programet e tyre zhvillimore”, ka potencuar ai.