Dëme nga pandemia Covid-19 kanë pësuar edhe proceset gjyqësore, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane e Kosovës.
Sot është mbajtur një forum virtual, i organizuar nga OEK-u në partneritet me Programin e Aktivitetit të Drejtësisë Komerciale të USAID-it, me panelistët Bajram Miftari dhe Krenar Berisha, të dy gjyqtarë.
Miftari, ka njoftuar se Këshilli Gjyqësor pas rastit të parë të infektuar me virusin Covid-19, mori vendim për të reduktuar të gjitha aktivitetet gjyqësore. Ai gjithashtu tregoi se gjykatat dhe administrata kanë vazhduar të ofrojnë shërbimet e tyre ndaj bizneseve duke i rishikuar lëndët, dhe ka informuar se gjatë muajit mars janë lëshuar vetëm 30 aktgjykime, që është numër i vogël krahasuar me muajt para pandemisë.
‘’Prioritet kanë rastet e natyrës urgjente si ato penale, çështjet e paraburgimit dhe dhuna në familje’’, tha Miftari.
Ai në fund ka shtuar se afati i pritjes për seancë gjyqësore ka ndikim të madh tek bizneset dhe se një rast gjyqësor është vital për të ardhmen e tyre dhe gjithashtu siguroi se pas përfundimit të kësaj gjendjeje, seancat do të caktohen me radhë, ashtu siç kanë qenë para pandemisë.
Ndërsa Berisha nga Departamenti Fiskal tha se pavarësisht rrethanave ku ndodhemi, gjykata ka pranuar paditë, kërkesat dhe kundërshtimet ndaj vendimeve administrative të cilat janë regjistruar dhe procesuar në mënyrë të rregullt.
Megjithatë, sa i përket zgjidhjes së kontesteve, me mënyra alternative, ai theksoi se ato nuk mund të implementohen lehtë për shkak se ky departament shqyrton ligjshmërinë e akteve administrative të nxjerra nga institucionet e administratës publike.
‘’Gjyqtarët kryesisht janë ballafaquar me masa të sigurisë të cilat i kanë propozuar bizneset. Deri më tani pandemia nuk ka shkaktuar dëme të mëdha tek gjyqësori, saktësisht këto departamente, por, dëmet potenciale mund të vërehen në të ardhmen’’, thuhet në komunikatë.