U miratua tematika dhe lista e elementeve të sigurisë për kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor, prerja 10,000 lekë. Këshilli i Mbikëqyrjes analizoi gjatë mbledhjes së djeshme se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare.
Por sipas analizës së Bankës qendrore sektori u karakterizua nga rënia e aktiveve në valutë për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, i cili ndikoi në tkurrjen vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën në fjalë. Këshilli, gjithashtu, miratoi Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2018.
Këshilli vlerësoi se zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme dhe se aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizmit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.