Në 10-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, KOHA risjell tekstin e korospodentit Augustin Palokaj të botuar në gazetën Koha Ditore më 19 prill të vitit 2013.
Përderisa zyrtarët dhe liderët nga e mbarë bota e kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes, duke i dhënë edhe epitet historik, secila palë e ka pasur interpretimin e ndryshëm. Bazuar nga pritjet e mëparshme mund të thuhet se Kosova ka arritur të sigurojë që policia dhe gjykatat do të jenë edhe në veri, ndonëse të përbëra nga serbët lokalë, në kuadër të sistemit unik të Kosovës. Por Serbia ka arritur të heqë nga teksti formulimet, sipas të cilave nuk do të bllokohej anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Tash mbetet të shihen implementimi në terren dhe veprimet përkatëse të BE-së për “rrugën evropiane” të Kosovës dhe Serbisë
Bruksel, 18 prill – Rundi i dhjetë me radhë i takimeve të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka dalë të ketë qenë vendimtar dhe palët më në fund kanë arritur marrëveshjen, e cila do të duhej të hapte rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe stabilizimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës. Ishte baronesha Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, e para që gazetarëve në Bruksel ua kumtoi lajmin për arritjen e marrëveshjes.
“Dua të them se negociatat kanë përfunduar. Teksti është parafuar nga të dy kryeministrat. Dua t’i përgëzoj për përkushtimin e tyre gjatë këtyre muajve dhe për kurajën që kanë pasur. Është shumë e rëndësishme. Ajo që po shohim tani është një hap më larg së kaluarës, dhe për të dyja palët një hap më pranë Evropës”, tha Ashton në prononcimin e saj të shkurtër.
Pas saj dolën kryeministrat, së pari ai i Serbisë dhe më pas edhe i Kosovës. Në shkëmbimin e përshëndetjeve dhe urimeve as Thaçi e as Daçiq nuk e lanë pa e lavdëruar mënyrën se si baronesha Ashton e kishte ndërmjetësuar këtë dialog. Por dy kryeministrat as në fund të këtij dialogu nuk patën interpretime të njëjta të asaj çfarë ka ndodhur dhe çfarë është arritur, ndonëse shumë shpejt në opinion doli edhe varianti përfundimtar i tekstit të marrëveshjes dhe publiku do të jetë në gjendje të vlerësojë vetë se kush sa ka fituar e kush ka humbur.
Kryeministri i Kosovës e quajti marrëveshjen si historike dhe e cilësoi si “njohje de jure e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”. "Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton", tha Thaçi. Ai në vazhdim të prononcimit të tij theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës , e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.
"Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dyja vendeve tona, të ardhmen evropiane".
Por Thaçi ishte i vetëdijshëm se do të ketë edhe kundërshtarë të kësaj marrëveshjeje. “Nuk ka asnjë iluzion se kjo marrëveshje nuk ka qenë e lehtë. Ne si dy shtete, si dy popuj, kemi kaluar një të kaluar jo të lehtë, të vështirë mes vete. Mirëpo kemi arritur t’i ngushtojmë dallimet, dhe të shkojmë drejt një pajtimi, mirëkuptimi dhe të bëjmë marrëveshje. Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë ,edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, për rajonin dhe për Bashkimin Evropian. Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin”, tha kryeministri i Kosovës.
Thaçi në prononcimin e tij foli më shumë për rëndësinë e përgjithshme të kësaj marrëveshjeje e më pak për përmbajtjen e saj. “Dy vendet dhe popujt tanë qenë të ndarë nga armiqësitë dhe vitet e hidhura që i kanë kaluar. Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re, atë të pajtimit, dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë që ta zbatojmë në praktikë. Të dyja vendet dhe popujt tanë do ta kenë fatin e përbashkët që të jenë pjesë e BE-së, NATO-s, e OSBE-së, dhe e OKB-së. Kjo marrëveshje është për të sotmen, dhe gjeneratat e ardhshme. Gjeneratat e ardhshme nuk do të na gjykojnë se sa ne e kemi urryer njëri-tjetrin, por se sa ne kemi punuar për të ardhmen e fëmijëve tanë. Dy vendet tona kanë nevojë për siguri, paqe dhe stabilitet. E di se dy vendet dhe popujt tanë janë mësuar duke urryer njëri-tjetrin. E di se kjo marrëveshje do të jetë diçka e re për popujt tanë, do të jetë momentum i ri, psikologji e re. Sepse deri këtu ka qenë një moment i urrejtjes së njëri-tjetrit, dhe se tash do të hapet mundësia e bashkëpunimit të ndërsjellë. Vendet dhe popujt tanë kanë nevojë për stabilitet, kanë nevojë për paqe, kanë nevojë për zhvillim”, tha Thaçi.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tërhoqi vërejtjen se sot palët vetëm janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes dhe ajo do të miratohet në ditët në vijim. Ai po ashtu tha se në marrëveshje janë përfshirë kërkesat e Serbisë.
“Pas 10 rundeve te bisedimeve që kemi pasur me përfaqësuesit e organeve të përkohshme të vetëqeverisjes së Prishtinës, Catherine Ashton, si ndërmjetëse e dialogut, ka paraqitur versionin final të marrëveshjes, për të cilin do të shprehen palët në ditët në vijim. Un sot në emër të delegacionit të Serbisë e kamë iniciuar (parafuar) tekstin dhe se ky është teksti rreth së cilit do të shprehen palët për pranimin apo refuzimin. Në këtë tekst janë pranuar kërkesat e Serbisë”, ka thënë Daçiq. Ai ka vazhduar, duke thënë se “Nëse nisemi nga takimi i parafundit, në të cilin e kishim refuzuar propozimin dhe kishim paraqitur kërkesat pa të cilat nuk do të mund ta pranonim marrëveshjen. Ato para se gjithash kishin të bënin me policinë, gjykatat për ingerencat e bashkësisë lidhur me edukimin, shëndetësinë, kulturën, planifikimin hapësinor dhe garancitë për mospraninë e një ushtrie të ardhme të Kosovës në veri.
Në takimin e pardjeshëm ishin pranuar një numër i madh i qëndrimeve tona. Por për ne nuk ishte e pranueshme kërkesa që ne nuk mund ta bllokojmë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare . Duke pasur parasysh se tekstet kanë mbetur të njëjta dhe nuk janë ndryshuar pikat që flasin për të drejtat e serbëve, Pika 9 nuk është ndryshuar, pika 14 është ndryshuar dhe ajo është e ngjashme me konkluzat e BE-së, dhe është hequr kërkesa për mosbllokimin në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo është shumë më pozitive për ne sesa çfarëdo propozimi i mëparshëm”, ka thënë Daçiq.
Përderisa zyrtarët dhe liderët nga e mbarë bota e kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes, duke i dhënë edhe epitet historik, secila palë e ka pasur interpretimin e ndryshëm. Bazuar nga pritjet e mëparshme mund të thuhet se Kosova ka arritur të sigurojë që policia dhe gjykatat do të jenë edhe në veri, ndonëse të përbëra nga serbët lokalë, në kuadër të sistemit unik të Kosovës. Por Serbia ka arritur të heqë nga teksti formulimet, sipas të cilave nuk do të bllokohej anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Tash mbetet të shihen implementimi në terren dhe veprimet përkatëse të BE-së për “rrugën evropiane” të Kosovës dhe Serbisë.
Liderët e BE-së, duke filluar nga presidenti i Këshillit, Herman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso e deri te komisioneri i zgjerimit, Shtefan Fuke, e kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes dhe kanë vlerësuar dy kryeministrat për guximin që kanë treguar. E përbashkëta e deklaratave të tyre ka qenë se me këtë marrëveshje palët kanë hapur një kapitull drejt së ardhmes së tyre evropiane.
Menjëherë të premten mbrëma në Bruksel është zhvilluar një takim i jashtëzakonshëm i ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Komitetin për politikë dhe siguri, ku ndihmësi i baroneshës Ashton, Fernando Gjentilini, ka raportuar për dialogun. Mësohet se në këtë takim është qartësuar se të dyja palët marrëveshjen e parafuar duhet ta miratojnë në qeveritë e tyre përkatëse. Të hënën në mëngjes përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, pritet t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rezultatet e këtij dialogu.
Thaçi i jep garanci NATO-s rreth veprimeve të FSK-së në veri
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes dhe ka përsëritur gatishmërinë e Aleancës që të luajë rolin e vet në implementimin e disa pjesëve të saj. Pas arritjes së marrëveshjes edhe delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, së bashku me përfaqësuesen e lartë, Catherine Ashton, janë pritur në selinë e NATO-s. Më herët gjatë ditës, siç mëson “Koha Ditore” nga burimet diplomatike në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, përmes së cilës në emër të Qeverisë së Kosovës zotohet se Forcat e Sigurisë së Kosovës çfarëdo veprimi në veri të vendit do ta ndërmarrin vetëm në koordinim dhe me pëlqimin e KFOR-it. Sipas përmbajtjes së kësaj letre, KFOR-i në kuadër të zbatimit të mandatit dhe detyrave të veta në Kosovë mund të konsultohet edhe me popullatën lokale. Këto garanci të kryeministrit të Kosovës janë dërguar në selinë e NATO-s në Bruksel, ndërkohë që pritet edhe përgjigjja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s rreth tyre. Serbia vazhdimisht ka kërkuar që të ketë garanci nga NATO-ja se FSK-ja për një kohë nuk do të veprojë në veri në komunat me shumicë serbe.