Arbëri

Scholz: Po mundohemi ta bëjmë të realizueshëm propozimin franko-gjerman

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se konfliktet e trashëguara në Ballkan duhet të zgjidhen.

Scholz ka theksuar se në dialogun Kosovë-Serbi duhet të gjendet mirëkuptim nga të dyja palët, ndërkohë që ka përmendur propozimin franko-gjerman duke thënë se qeveritë franceze dhe gjermane po mundohen ta bëjnë të arritshme atë.

“Është e vërtetë që konfliktet që janë trashëguar në Ballkan duhet të zgjidhen dhe kjo është e mirë që tash kemi rastin, kemi arritur disa hapa dhe kemi debat për Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Shqipërinë dhe kemi bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë proces. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim, ne dhe qeveria franceze jemi duke u munduar ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të lëvizin përpara dhe do të arrihet një marrëveshje. Kjo kërkon një fuqi të madhe dhe durim për arritjen e një marrëveshjeje”, ka thënë Scholz.

Kancelari gjerman ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor do të arrihet shpejt.

“Besoj se do ta arrijmë sa më shpejt që është e mundur. Përpara askush nuk ka menduar që na duhen 20 vjet për këtë qëllim, andaj mendoj se do të arrihet shpejt”.