Ymer Ymeri, përfaqësues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencave të Kosovës (SBASHK), ka thënë se Ligji për pagat ka mundësi të dështojë për shkak të siç ka thënë, ripërfshirjes në të, të agjencive të pavarura, gjë për të cilën ligji i parë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Ymeri ka thënë se institucionet si Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ai Prokurorial (KPK), Auditori i Përgjithshëm e Avokati i Popullit, nuk do të duhej të përfshiheshin sërish në ligj.
“Qysh e kemi vlerësuar ne, qysh kemi parë që edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë marrë parasysh, e cila ka dhënë vërejtje që nuk duhet të figurojnë në ligj dhe figurojnë përsëri dhe kjo na jep përshtypje që ligji mund të dështojë. E kemi vendimin e Kushtetueses që thotë se Agjencitë e Pavarura si KGJK-ja dhe KPK-ja, Auditori i Përgjithshëm dhe Avokati i Popullit, nuk duhet të jenë pjesë të ligjit, prandaj ligji i parë është rrëzuar dhe është shpallur i pavlefshëm”, ka thënë Ymeri.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se SBASHK-u po planifikon të kërkojë një shtesë në pagë për mësimdhënësit, deri në hyrjen në fuqi të ligjit.
“Kemi parë që në draft ligjin thotë se hyn në fuqi 6 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare që i bie që sivjet ky ligj nuk hyn në fuqi. Ne kemi menduar dhe jemi duke biseduar që të kërkojmë një shtesë në pagë deri në hyrje në fuqi të ligjit duke pasur parasysh se kriza ekonomike dhe shtrenjtimi i gjërave elementare ushqimoret kanë ndikuar shumë në pozitën ekonomike të punëtorëve në Kosovë. Ka një periudhë bukur të gjatë që nuk ka pasur ngritje të pagave”, është shprehur Ymeri.
-
SBASHK-u paralajmëron grevë
-
Qeveria akuzohet se e bëri praktikë moszbatimin e aktgjykimeve të Kushtetueses
-
SBASHK-u paralajmëron veprime sindikale: Presim dialog nga Qeveria
-
Qelaj: Të mos rrëzohet krejt ligji, të mbetet në fuqi rritja e pagave
-
KGJK-ja i kërkon Avokatit të Popullit ta çojë në Kushtetuese Ligjin për pagat