Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar që të bëhet zgjidhje për punëtorët e arsimit, që kanë sëmundje të rënda, në mënyrë që ata të lirohen nga procesi mësimor për shkak të rrezikut nga COVID-19, por që të marrin paga.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se numri i mësimdhënësve me sëmundje të rënda në Kosovë sillet rreth 400.
“Kërkesat tona përsëriten ato të njëjtat, që për kolegët tanë të gjendet një zgjidhje që janë me sëmundje të rënda dhe diku numri i tyre në tërë Kosovën mund të jetë rreth 400. Ata vitin e kaluar kanë arritur të bëjnë një zgjidhje dhe ne kemi kërkuar që kjo të bëhet edhe këtë vit. Me paraqitjen e tyre në shkollë janë dukshëm të rrezikuar sesa kolegët e tyre nëse preken nga Covid-19, dhe kontributi i tyre në procesin mësimor është tepër i vogël”, ka thënë ai.
Të hënën nisi viti i ri shkollor, pas gati një muaj shtyrjeje si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19 gjatë verës.