Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Santana: Spanja pa arsye ka vendosur pengesa ndaj Kosovës

Akademiku spanjoll, Fernando Nuno Santana, ka thënë se koncepti i evropianizimit është definicion që përpiqet të përfshijë në një anë, gjithë procesin në të cilën po kalon Kosova në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian e në anën tjetër, se si Kosova i ndan vlerat evropiane, që sipas tij, janë në një paralele me konceptin holistik të evropianizimit të vendit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo nënkupton sistemin demokratik, sundimin e ligjit, nënkupton zhvillimit social.

Santana ka thënë se të gjitha këto principe, supozohet të jenë vlera të përbashkëta në vendet evropiane.

Ai ka folur edhe për zhvillimin demokratik të Kosovës në 14 vjetet e fundit si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendoj se janë disa faza në këtë proces. E para, është siç e dini, fokusi ishte në njohjen dhe në dialogun mes Prishtinës e Beogradit. Thelbi është që në këtë përpjekje për t’u bërë shtet i vërtetë i pavarur, Kosova ka gjetur shumë gurë në rrugën e saj. Mendohej se BE-ja do ta mbështeste këtë proces si një, por siç e përmendët edhe ju, ende 5 shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën dhe shteti im është njëri ndër ta. Dhe kjo nënkupton që Kosova mund ta bëjë më të mirën, por duhet të ketë një proces të ndërmjetësuar nga palë kyçe. Kështu që, nëse BE-ja po përpiqet ta përfshijë Kosovën në këto parime, atëherë, duhet ta mbështesë si e tëra. Është një proces 14-vjeçar i papërfunduar”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për mungesën e lëvizjes së lirë të kosovarëve, ai ka thënë se çështjes së vizave tashmë i ka ikur logjika.

Edhe Kolumne Diplomacia akademike si rrugë drejt integrimit evropian

“Nëse analizoni, në këto komponentë apo aspekte vendet e BE-së duhet t’i analizoni individualisht se çfarë pozite mbajnë shtetet brenda BE-së. Dhe, në shumë qëndrime nuk duket se ka shumë logjikë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Spanja është një nga shtetet që pa arsye ka vendosur pengesa gjatë gjithë kohës për qytetarët e Kosovës. Por, sipas tij është po ashtu Franca dhe të tjerët dhe nuk ka logjikë rreth çështjes së vizave.

Santana ka thënë se në rastin e Spanjës mund të shkojnë në Spanjë, por sipas tij, çfarë e bën të pakuptimtë, është që duhet të shkojnë përmes Beogradit, Tiranës apo ndonjë shteti tjetër dhe kjo thotë ai, nuk ka kuptim.