Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën, ka zgjedhur Samedin Krrabajn në postin e ushtruesit të detyrës së rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë. Në njoftimin e publikuar në uebfaqen e këtij universiteti, thuhet se ky vendim është marrë me votimin unanim të anëtarëve prezent të Këshillit Drejtues.
“Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, është zgjedhur u. d. rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren Vendimi është marrë me votim unanim të anëtarëve prezent të Këshillit Drejtues, gjashtë nga shtatë anëtarë, në mbledhjen e mbajtur më 6 shtator 2021”, shkruan në njoftim.
Aty gjithashtu theksohet se u.d. rektori Krrabaj është uruar për detyrën e re nga kryesuesi i KD-së, Arif Murrja, teksa vet Krrabaj është zotuar se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e Universitetit.
“Kryesuesi i Këshillit Drejtues Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja me këtë rast e uroi u.d. Rektorin për detyrën e re, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese. Ai e siguroi se do të ketë mbështetjen e pa rezervë të Këshillit Drejtues për të punuar në të mirë të Universitetit. U.d. Rektori Krrabaj i falënderoi për besimin e dhënë të gjithë anëtarët e KD-së dhe u zotua se do të punojë me nderë dhe përkushtim për të zhvilluar këtë Universitet. Në situatën në të cilën gjendet Universiteti, ai theksoi se këtë detyrë nuk e sheh si privilegj, por si përgjegjësi”, përfundon njoftimi i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në korrik të këtij viti pati shkarkuar nga detyra rektorin, Ismet Temaj.
“Në mbledhjen e mbajtur më 6.7.2021, Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, me votim të fshehtë, me 5 vota pro, një kundër dhe një abstenim, shkarkoi nga detyra Rektorin e Universitetit Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj”, thuhej në këtë njoftim, pa i shpalosur arsyet që kanë çuar deri te vendimmarrja e autoritetit kryesor qeverisës të Universitetit. Ismet Temaj ishte zgjedhur rektor i Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren në maj të vitit 2019, me votimin unanim të anëtarëve prezent të Këshillit Drejtues.
Sipas dispozitave të Statutit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, “në rastin e shkarkimit të Rektorit, apo në çfarëdo rasti të mbetjes vakant të pozitës së Rektorit, Këshilli Drejtues zgjedh ushtruesin e detyrës të Rektorit deri në përfundimin e procedurës të zgjedhjes së Rektorit për mandatin e mbetur”.