Arbëri

Sali Berisha i reagon Vuçiqit: Mos guxo të marrësh ndonjë akt aventuresk

Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do të ketë “reagim vdekjeprurës” ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosje të masës së reciprocitetit.

Berisha ka thënë se nëse Vuçiq guxon të marrë ndonjë akt aventuresk atëherë e pret fati i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Berisha ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës bazohet në Marrëveshjen e Brukselit.

“Pas kërcënimit një muaj më parë për reagim vdekjeprurës ndaj Kosovës, presidenti i Serbomadhesë Vuçiç, sot thirri një konferencë shtypi të jashtëzakonshme në të cilën ai kërcënoi haptas perëndimin duke u shprehur se ‘nuk beson se doni konflikt në Kosovë’. Dmth sipas tij zbatimi i marrëveshjes nga Qeveria e Kosovës do të përdoret nga ai si ‘Casus Beli’, dhe kjo dëshmon qartë se, Aleksandër Vuçiç është një kërcënim i vërtet për paqen dhe stabiliteti në rajon, dhe se ai paraqet një Putin të vogël në Ballkan. Ky reagim me kërcënim vdekjeprurës dëshmon se nacionalizmi i verbër serb është sot njëlloj si në kohën e Millosheviqit, një fuçi baruti shumë i rrezikshëm për Ballkanin. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e Presidentit të serbomadhisë Aleksander Vuçiq ndaj marrëveshjeve dhe kërcënimin e tij për reagim vdekjeprurës ndaj vendimit legjitim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, parlajmëroj presidentin e serbomadhisë të lërë kërcënimet dhe të mos guxojë ndonjë akt aventuresk se fati i kasapit të Ballkanit, atit të tij shpirtëror Sllobodan Millisheviq e pret”, ka shkruar Berisha në Facebook.