Pacienti zero, që është një 77-vjeçar nga Vitia, është liruar sot nga Klinika Infektive e QKUK-së pasi është shëruar plotësisht nga koronavirusi.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, përmes një postimi në Facebook.
Veç tjerash, ai tha se lajmi tjetër i mirë i ditës së sotme është edhe shërimi i një infermiereje të Infektivës.
“Sot në ditën e 27-të nga konfirmimi i rastit të parë me COVID19 në Kosovë, kemi dy lajme shumë të mira: Është shëruar rasti zero me COVID-19 i cili është një qytetar i Vitisë, dhe është shëruar infermierja jonë në Klinikën Infektive e cila ka 43 vite përvojë punë në klinikë”, tha Sadiku, raporton KOHA.
Ai theksoi se Kosova, me masat e ndërmarra deri më tani në luftë për parandalimin e COVID-19, po tregon sukses në menaxhimin e kësaj pandemie
Profesori Sali Ahmeti, në një konferencë për media ditën e sotme, paralajmëroi për lirimin e pacientit zero.
“Sot lirohet rasti zero, një 77-vjeçar i cili ka pasur edhe sëmundje kronike, ai ka pasur edhe infeksion të rëndë me Covid19”, tha Ahmeti.