Konstatimet dhe kërkesat nga Avokati i Popullit që të ndërpritet faturimi i konsumatorëve edhe për shpenzimet e veriut, nuk pritet të marrin një përgjigje pozitive. Mungesa e qeverisë aktualisht, kuvendit dhe një bordi të ZRRE-së shkaktojnë pamundësi të përgjigjes pozitive. Njëjtë nuk do të mund të bëhet as kompensimi.
Qytetarët e pjesës tjetër të vendit do të vazhdojnë të paguajnë për energjinë e shpenzuar dhe të papaguar nga banorët e veriut të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLlogaritet që një konsumator paguan për energjinë e shpenzuar në veri deri 55 euro për një vit.
Mungesa e qeverisë dhe mungesa e bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë janë vetëm dy nga disa faktorë që e pamundësojnë një veprim ndryshe nga ai që është tani.
Kjo zyrë që në buxhetin e KEDS-it ia ka njohur humbjet nga energjia në veri dhe që arrin në 8 milionë euro në vit bazohet në ligjin aktual të energjisë që i precizon këto çështje.
Janë paragrafët nga 1.21 deri më 1.25 të nenit 28 që e bëjnë aktualisht të pamundur ndryshimin e situatës.
ZRRE-ja ka bërë të ditur se çështjen e energjisë së shpenzuar nga veriorët, që hynë në kuadër të humbjes së energjisë, shumë herë e ka adresuar në qeveri dhe institucionet tjera të larta.
“Duke marrë parasysh se kjo vlerë nuk është mbuluar nga institucionet e Kosovës dhe duke mos pasur zgjidhje tjetër për të mbajtur sistemin elektro-energjetik në gjendje funksionale, Bordi i ZRRE-së ka qenë i detyruar që kostot për mbulimin e humbjeve, duke përfshirë edhe humbjet në veri të vendit, t’i shpërndajë te të gjithë konsumatorët”, thuhet në një pjesë të sqarimit të ZRRE-së.
Madje ZRRE thotë se energjia në veri e shpenzuar dhe e pa paguar konsiderohet si humbje politike dhe si të tilla janë humbje jashtë kontrollit të OSSH-së.
“Nëse nuk mbulohen këto humbje atëherë OSSH-ja nuk mund të kryejë funksionet e veta për shkak të kostos së lartë të këtyre humbjeve, gjë që do të rrezikonte furnizimin e rregullt me energji elektrike të konsumatorëve në tërë Kosovën”, sqaron ZRRE-ja.
Edhe pse KOSTT-i nga 1 prilli ka në përgjegjësi humbjet e energjisë nga ajo pjesë, zyrtarë të saj nuk kanë dhënë asnjë sqarim për këtë çështje.
Ndërkaq, shoqëria civile e sheh problematike një situatë të tillë të krijuar tash e sa vjet.
Kërkesën e Avokatit të Popullit për kompensimin e konsumatorëve që e kanë paguar rrymën për atë pjesë, ajo nuk e sheh të pamundur.
Në pamundësi të leximit të orëve të energjisë në këtë pjesë, llogaritja vazhdon të bëhet nga shpenzimi i energjisë me shumicë dhe atë duke bërë përllogaritje përmes pikës në Vallaq në veri të vendit.
Nga paslufta, në këtë pjesë vetëm një herë KEK-u kishte bërë përpjekje për të nisur leximin e orëve dhe mbledhjen e mjeteve të papaguara nga energjia e shpenzuar, por ishte penguar nga administrata e atëhershme e UNMIK-ut, me arsyetimin se një veprim i tillë nxiste tensione politike.
Pas privatizimit të distribucionit, të gjitha borxhet e vjetra, përfshirë edhe ato nga veriu, iu transferuan privatizuesit, por i njëjti sërish nuk kishte qasje në atë pjesë.
Me marrëveshjen për energjinë, në veri do të funksiononte një kompani e re që është dashur moti të formohet në atë pjesë, por që kjo nuk po ndodh për shkak të obstruksioneve të Serbisë, duke i shkelur vazhdimisht kushtet e marrëveshjes.