Në janarin e 1991-s, Beogradi kishte nisur bisedimet mes përfaqësuesve të republikave jugosllave për rregullimin e ardhshëm të shtetit të përbashkët.
Shqiptarët, edhe pse me numër populli i tretë në Jugosllavi, nuk ishin në tavolinën e bisedimeve. Ani pse Kosova atëbotë ishte nën okupimin represiv serb, kokat shqiptare, përfshirë kreun e LDK-së, Ibrahim Rugovën, ishin mbledhur në qytezën kroate, Stupiçke Toplice. Temë diskutimi ishte arritja e një konsensusi gjithëshqiptar.
Rugova, duke parë rrethanat, kishte deklaruar në këtë tryezë se vendi tashmë ishte në skenën ndërkombëtarë, dhe se ata “kanë të drejtë të na kualifikojnë edhe me terma ndërkombëtarë.
“Duhet të themi se të gjitha partitë politike, për fat të mirë, edhe në Kosovë edhe në Maqedoni edhe në Mal të Zi e po ashtu edhe në Serbi, kanë punuar, kanë vepruar edhe në kuadër të asaj rezistencës ne i themi politike, po bota ka të drejtë të na quajë edhe pasive edhe aktive edhe... nuk duhet edhe aty ta kufizojmë atë, nuk duhet ta marrim fort me... Sepse ne jemi, për fat të mirë, tash kemi dalë në skenën ndërkombëtare edhe kanë të drejtë edhe të na kualifikojnë edhe me terma ndërkombëtarë”, kishte deklaruar ai.
Rugova kishte theksuar se ky takim ishte për arsye koordinimi rreth veprimeve të ardhshme.
“Natyrisht edhe rezultatet që i kemi pasur deri tash edhe të metat, mund t'i theksojmë edhe ato edhe të gjitha të tjerat, qoftë të partive politike, qoftë të koordinimit mes subjekteve, siç janë Kuvendi, shoqatat e ndryshme, po ashtu e kemi edhe, të flasim haptas, edhe kategorinë e intelektualëve të pavarur, të gjithë... Ky takim e ka për qëllim që të bëjmë një koordimin më të madh edhe informim për punën e ardhshme. Nëse fillojmë tash këtu, në mënyrë strikte t'i paraqesim pikëpamjet, mendoj se nuk do të arrijmë në këtë pikë”, kishte thënë ai tutje aty.