Akademiku Bardh Rugova ka thënë se nacionalizmi në këndvështrim të parë nuk ka diçka të keqe, pasi ka plotë elemente të mira me të cilat organizohet një shoqëri e funksionon një shoqëri.
Por, ai thotë se ka pjesën tjetër, që shërben si vlerë simbolike e duke shërbyer si e tillë shndërrohet në plotë elemente negative, përfshirë edhe dhunë.
Rugova në “Konfront” të KTV-së ka thënë se elementet e para të kësaj më së miri vërehen në sport.
“Kishte ndeshje mes Hondurasit e El Salvadorit, ku u çuan aeroplanët në vitet e 70-ta për një ndeshje futbolli. E kemi parë shumë herë se kjo vazhdon edhe në ndeshjet tjera të futbollit. E pamë te paraqitjet e Zvicrës me Serbinë. E pamë në ndeshjen e Shqipërisë me Serbinë, kemi parë se si një ndeshje e futbollit akumulon shumë emocione, që ndonjëherë shndërrohen në emocione negative, në dhunë dhe elemente jo të pëlqyeshme shoqërore”, ka thënë Rugova. “Është çështje komplekse, siç është vetë komplekse ideja se çka është nacionalizimi”.
E sociologu i sportit Albert Mecini ka thënë se nacionalizmi shpërfaqet në sporte të ndryshme, por veçanërisht futboll, që është prej sporteve kryesore të nivelit global. Ai ka thënë se disa shtete mes vete mund të kenë kaluar në aspekte historike konflikte, e më pas kur vjen fjala te sporti shpërfaqen.
Mecini ka thënë se në Evropën Perëndimore faza e nacionalistit tipik ka rënë krahasuar me Ballkanin.