Arbëri

Rritja e çmimeve: Në Shqipëri protesta, në Kosovë deklarata

Rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe të naftës ka nxitur protesta masive në Shqipëri për ditën e tretë me radhë. Protesta nisi vetëm në Tiranë, por në ditën e tretë, ajo u shpërnda edhe në qytete të tjera. Ka qindra të arrestuar. 

Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” ka thënë se kërkesa e protestuesëve është ulja e çmimeve dhe abuzuesit e tyre të përballen me ligjin.

“Ligji duhet t’iu jep të drejtë qytetarëve. Institucionet e vendit duhet të kryejnë hetime për këto çmime. Kryeministri nisi pushimet në Dubai, por iu prishën për shkak të masivitetit të protestës që në ditën e parë. Kush ka abuzuar të përballet me ligjin, kjo është njëra ndër kërkesat tona. Ulja e çmimeve është kërkesa kryesore”, ka thënë Qiraxhi në “Java Sonte Me Rronin”.

Qiraxhi paralajmëroi se nesër duke filluar nga ora 11:00, do të jetë kulmi i protestës që do të fillojë nga sheshi “Skënderbeu” në Tiranë.

Ndërkohë, në Kosovë, reagime të shumta për rritjen e çmimeve, përfshirë atë të naftës, pati ditëve të fundit. Institucionet ndërhynë vetëm pasi çmimi i vajit u trefishua brenda një dite. Mirëpo, thuajse të gjithë reagimet ishin në rrjetet sociale dhe përmes mediave. Ndërsa një qytetar zgjodhi të protestonte i vetëm para Qeverisë të premten. Ai kërkonte uljen e çmimeve me moton “S’kena pare mo

Ekspertët e ekonomisë thonë se në rast të vazhdimit të konfliktit Ukrainë – Rusi, çmimet do të vazhdojnë të rriten, por duhet të ketë kontroll të shtuar nga autoritetet që të mos abuzohet me to.

“Autoriteti i Konkurrencës arsyetohet se nuk ka bord funksional dhe meqë Kosova ka treg të lirë, nuk mund të ndërhyjë në çmime. Por sipas Ligjit të Konkurrencës, ata vetëm me një vendim gjykate mund të shkojnë e të kontrollojnë supermarketet. Ti nuk mundesh me ndërhy në çmime, por mund t’i hetosh për bashkërendim të çmimeve”, ka thënë ekspertja e ekonomisë, Albulenë Kastrati, në “Java Sonte Me Rronin”.

Florin Aliu, ekspert i ekonomisë, thotë se ka mënyra të ndryshme se si mund të vihet deri te zbulimi për harmonizimin e çmimeve nga bizneset.

“Ekonomia e tregut të lirë e ka përmirësuar tregun, por anomalitë vijnë nga institucionet. Ka metoda se si të zbulohen çmimet e harmonizume ndërmjet bizneseve. Mund ta marrësh një biznes, t’i thuash se ty të dënojë më pak se të tjerët dhe trego për marrëveshjen që keni bërë. Kjo është njëra ndër mënyrat. Në Perëndimit, këto gjëra kontrollohen kohë pas kohe. Megjithatë, Qeveria veproi mirë dje sepse dha një sinjal edhe për industritë e tjera”, ka thënë Aliu në “Java Sonte Me Rronin”.