Arbëri

Rritet numri i rasteve të dhunës seksuale, përgjegjëse edhe institucionet e drejtësisë

Gruaja nga Ferizaj raporton në Polici se i është dhunuar vajza e mitur

Sipas raportit të EULEX-it, “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, në vitin 2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar 107 raste të dhunës seksuale, në vitin 2020 janë raportuar 64 raste, ndërsa në 2019-n 57 raste

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka publikuar një raport, të mërkurën, përmes së cilit është treguar se shkalla e dhunës seksuale në Kosovë ka shënuar rritje rreth 70% në vitin 2021 në krahasim me një vit më parë.

Sipas raportit, “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, në vitin 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar 107 raste të dhunës seksuale, në vitin 2020 janë raportuar 64 raste, ndërsa në 2019-n 57 raste.

Përveç kësaj rritjeje janë shtuar edhe kërkesat për drejtësi, të cilat, bazuar në këtë raport, shpeshherë mbeten pa përgjigje, shtyhen dhe zvarriten në mënyrë të paarsyeshme apo shpesh mohohen.

Këshilltarja për çështje gjinore në EULEX, Chiara Tagliani, është shprehur e shqetësuar për trajtimin e pamjaftueshëm të këtyre çështjeve.

“Mungesa e udhëzuesve për përshpejtimin e procedurave duke përfshirë edhe rastet e dhunimit dhe dhunës në familje, mungesa e këtyre resurseve ka shkaktuar vonesa dhe pamundësi të trajtimit të rasteve në kujdesin e duhur”, ka thënë ajo.

Shqetësuese rritja e numrit të këtyre rasteve, por edhe mungesën e trajtimit të tyre e quan edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Është shqetësuese të shohim trendin e rritjes së vazhdueshme të rasteve të dhunës seksuale në vendin tonë, do të doja të besoja se njëra nga arsyet e rritjes së këtij trendi është vetëdijesimi i grave dhe besimi i tyre në institucione për të raportuar këto raste, por të dhënat nuk na mundësojnë një përfundim të tillë”, ka theksuar Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve që të kenë një rol më proaktiv në parandalimin dhe veçanërisht në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e veprave të dhunës.

Osmani, nga kjo përmbledhje e përpiluar, e cilësoi njërin aspekt si më alarmantin.

“Fakti se institucionet tona shpesh përdorin nevojën për dëshmi apo gjurmë fizike për të dëshmuar dhe hetuar dhunën seksuale, kjo praktikë duhet të ndërpritet. Institucionet duhet të vetëdijesohen se gjurmët psikike janë po aq të rëndësishme sa gjurmët fizike. E nganjëherë edhe më tepër”, ka shtuar ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se këto raste shpeshherë neglizhohen.

“Kemi pasur së fundi jo pak raste ku qoftë policia, qoftë prokuroria apo edhe gjykata nuk e kanë bërë punën siç duhet, ta zëmë në qoftë se kemi raste ku dhuna seksuale neglizhohet apo paragjykohet”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se ky lloj i dhunës mbetet i paraportuar shkaku stigmës që ngërthen më vete, frika e viktimës nga hakmarrja e dhunuesit, si dhe mungesa e besimit në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

“Në 3 vjetët e fundit në Kosovë janë raportuar më shumë se 200 raste të dhunimeve seksuale dhe shqetësimi im edhe më i madh është se 85 për qind të rasteve janë vajza të mitura po ashtu gjatë pandemisë krahas rritjes së numrit të dhunës në familje është raportuar numër i madh i dhunimeve seksuale”, ka shtuar ajo.

Veton Shabani, zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, u zotua se rekomandimet nga raporti që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial të Kosovës do të adresohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës tek secila njësi kompetente brenda sistemit të tyre.

“Për të lehtësuar qasjen e viktimave në raportimin konfidencial të veprave të ndryshme të abuzimit seksual dhe veprave të tjera ekziston edhe një linjë ndihmëse në kuadër të Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, linjë telefonike pa pagesë në këtë drejtim”, ka thënë Shabani.

Pjesë e komentimit të këtij raporti ishin edhe zyrtarë të institucioneve të tjera ligjore, përfshirë drejtorin e PK-së, Sabedin Mehmeti, zyrtarë të Këshillit Gjyqësor dhe përfaqësues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Nga 20 aktgjykime fajësuese, 12 prej tyre dënimi ishte nën kohëzgjatjen minimale të dënimit sipas ligjit, ndërsa në 8 aktgjykime të tjera kohëzgjatja e dënimit ishte në përputhje me ligjin.