Çrregullimi i hiperaktivitetit e mungesa e vëmendjes te fëmijët ka shënuar rritje viteve të fundit, kanë alarmuar profesionistët. Në këtë, sipas tyre, krahas elementit të trashëgimisë, kanë ndikuar ekspozimi i tepërt i fëmijëve para pajisjeve teknologjike, mënyra e të ushqyerit, si dhe konsumimi i pijeve energjike
Profesionistët kanë dhënë alarmin për rritjen gjatë viteve të fundit të rasteve të fëmijëve me çrregullimin e hiperaktivitetit dhe për mungesën e vëmendjes.
Ky çrregullim neurozhvillimor, i njohur si ADHD, është i lindur dhe rëndom manifestohet me probleme në përqendrim, hiperaktivitet dhe tendencë për lëndim, si pasojë e moskontrollimit të emocioneve e sjelljeve impulsive.
Psikiatria Adelina Ahmeti thotë se me gjithë mungesën e statistikave, ka rritje të rasteve dhe se në to, përveç faktorit të trashëgimisë, ndikim kanë edhe ekspozimi i madh i fëmijëve para pajisjeve teknologjike, mënyra e të ushqyerit e konsumimi i pijeve energjike.
“Sigurisht që tendencat e rritjes së hiperaktivitetit. Ne nuk kemi matje statistikore, mirëpo ka rritje të dukshme, si rezultat, e sidomos pas periudhës së COVID-it. Ekspozimi shumë i gjatë i fëmijëve para rrjeteve elektronike, mirëpo kësaj i bashkëshoqërohet edhe mënyra e konsumimit të ushqimit, e rrit edhe më shumë ndjeshmërinë e çrregullimit të hiperaktivitetit”, ka thënë psikiatria Ahmeti.
Ajo thotë se pas diagnostikimit të hershëm, është i rëndësishëm funksionimi i trekëndëshit bashkëpunues – prindër, edukator e fëmijë.
Edukatorja Besa Simnica e ndau përvojën me një fëmijë të diagnostikuar me këtë çrregullim.
“Fillimisht ai fëmijë është prezantuar me ambientin, me neve dhe madje gradualisht ka filluar nëna të largohet. Ne si edukatore, më së pari u ofrojmë dashuri, madje e shohim tipin e fëmijës që është dhe çka ka nevojë”, ka thënë ajo.
Psikiatria Ahmeti tregon se në Klinikën e Psikiatrisë së Fëmijëve, pas diagnostikimit dhe vlerësimit psikologjik, bëhet planifikim i veçantë për intervenim.
“Është shumë e vështirë të jetë efektiviteti për arsye se duhet të jenë njerëz të cilët janë të profilizuar e neve na mungon ajo. Edhe te qëndrimet ditore normalisht që është punë, prindërit nuk kanë zgjidhje tjetër, duhet të jenë në strukturë, duhet të jenë në planprograme. Jo të gjithë fëmijët duhet ta kenë të njëjtën qasje”, ka theksuar ajo.
E në disa nga çerdhet publike, me menaxhmentet e të cilave ka biseduar KOHA, folën për mungesë të kushteve dhe të personelit të veçantë për trajtimin e këtyre fëmijëve.
Në kopshtin “Lulevera” thanë se punësimi i një psikologeje sivjet ua lehtësoi punën.
“Është e nevojshme që në secilin institucion edukativ t’i përmbushin kushtet që janë specifike për kërkesat që kërkon problematika e tyre. Edhe kushte infrastrukturore, por edhe të ketë kuadër të përgatitur profesionalisht për t’i trajtuar problematikat që i kanë”, ka thënë Mihjrije Spahiu, drejtoreshë e këtij kopshti.
Profesionistët e theksojnë rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit me kohë të këtij çrregullimi, në mënyrë që të shmanget shfaqja e problemeve në të ardhmen.