Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rriten kontrollet për të hyrë në Shqipëri një ditë pas arrestimit të dy kosovarëve në protestë

kufiri

Mëngjesin e sotëm janë krijuar kolona në pikën kufitare në Vërmicë, pasi autoritetet e Shqipërisë kanë rritur kontrollet pas konstatimit se në protestat në Tiranë kanë marrë pjesë edhe shqiptarë nga Kosova. Gazetarë e analistë kritikojnë pjesëmarrjen e këtillë në protestat që synojnë rrëzimin e pushtetit.

Shqipëria ka shtuar kontrollet në kufirin me Kosovën të shtunën, një ditë pasi Policia raportoi se në mesin e protestuesve të arrestuar në Tiranë janë edhe dy nga Kosova.

Në video që janë publikuar në rrjete sociale janë parë kolona të gjata në pikëkalimin në Vërmicë.

Zyrtarët kufitarë i thanë KOHËS se kontrollet më shumë ishin për shkak të situatës me protestat e dhunshme në Shqipëri.

Por, pasdite situata në kufi ka qenë ndryshe pasi kolona s’ka pasur. 

Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza se pas shkatërrimeve në protesta qëndron edhe “dorë e huaj”.

Gazetarë në Tiranë e analistë në Prishtinë thonë se shqiptarët e Kosovës nuk duhet marrë pjesë në protestat në Shqipëri, me të cilat kërkohet rrëzimi i pushtetit.

“Është një gafe e madhe që për probleme që ka Tirana dhe Shqipëria të vijnë edhe disa nga Kosova nuk është normale kjo… gafat që bëjnë politikanët-liderët tanë, Edi Rama, Albin Kurti që përplasen me njeri tjetrin si dy vëllezërit që zihen për pronën e trashëguar nga babi dhe mami-kjo është e turpshme dhe këtë nuk duhet ta bëjë populli këtë. Nuk është normale që një banor i Kosovës të vijë të protestojë në Tiranë”, ka thënë gazetari Roland Qofaku. 

E analisti Arton Muhaxheri ka thënë se protestuesit nga Kosova nuk kanë pse të përzihen në çështjet e Shqipërisë. 

“Unë mendoj që protestuesit nga Kosova nuk kanë pse të përzihen në çështjet e Shqipërisë ashtu siç nuk duhet të përzihen njerëzit nga Shqipëria në protestat tona eventuale”, u shpreh ai. 

Akuza për pjesëmarrje të shqiptarëve nga Kosova ka pasur edhe për protestat paqësore të përditshme, që kanë nisur në fillim të qershorit. Në ditët e para të protestës autoritetet e Shqipërisë patën rritur kontrollet në kufi.