Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Greqisë Labros Baltsiotis ka folur në lidhje me marrjen e nënshtetësisë greke nga ana e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Ai tha në një intervistë për televizionin Tribuna të Tirnaës se shqiptarët janë ata që kryesojnë nga të huajt, sa i takon marrjes së nënshtetësisë. Sipas tij, në shifrat që disponon Ministria e Brendshme e Greqisë, janë afërsisht 200 mijë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësi të vendit fqinj.
Baltsiotis u pyet se ka shqiptarë që kanë jetuar 20 apo 30 vjet në Greqi dhe se nuk kanë nënshtetësi e sesi duhet të veprojnë këta njerëz për të fituar atë. “Unë mund të them se procedura është e njëjtë. Sigurisht që ka teste. Duhet kaluar një test. Ky test konsiston në faktin se personi i pyetur duhet të dijë gjuhën minimalisht, pra është test gjuhe. Gjithashtu, do të ketë pyetje në gjuhën greke, janë 30 pyetje dhe e merr testin personi që përgjigjet saktë në 20 pyetje”, tha ai.
Zyrtari grek u shpreh se procedurat për marrjen e nënshtetësisë janë të njëjta.